Edhe pas vdekjes qelizat e gjenet funksionojnë, dëshmon një studim i ri

Edhe pasi të vdisni, qelizat e trupit tuaj do të vazhdojnë të funksionojnë. Sipas një studimi të ri të publikuar në revistën “Nature Communications”, qelizat e trupit bartin shprehje gjenetike pas vdekjes (post-mortale) për 24 deri në 48 orë.

Të gjitha funksionet biologjike që e bëjnë jetën të mundshme janë të mundësuara nga gjenet tona – dhe në mënyrë specifike, shprehja e atyre gjeneve. Kohët e fundit, një ekip ndërkombëtar i shkencëtarëve e vëzhgoi aktivitetin gjenetik në qelizat postmortale, transmeton koha.net.

Gjenet dhe aktiviteti gjenetik përcaktohen nga dy lloje të kodit, ADN dhe ARN. ADN janë udhëzimet, ndërsa ARN-ja vepron si përkthyes. ARN-ja “e shpreh” apo interpreton ADN-në, duke e lexuar kodin dhe duke e përkthyer atë në veprime – ose funksione biologjike.

Kur njerëzit vuajnë nga sëmundjet, kjo shpesh shkaktohet nga ndonjë ndërprerje e procesit gjenetik të përkthimit dhe të shprehjes apo interpretimit.

Derisa ARN-ja mund t’i kontrollojë drejtpërdrejt disa procese qelizore, ajo gjithashtu i siguron udhëzimet e koduara për proteinat që e bartin një sërë funksionesh qelizore. Studimi i këtyre udhëzimeve të koduara, që quhen transkriptomika, është mënyra kryesore se si shkencëtarët fitojnë njohuri për fabrikat qelizore që e bëjnë jetën të mundur.

Për ta kuptuar më mirë se si aktiviteti gjenetik i fuqizon funksionet qelizore, shkencëtarët duhet t’i studiojnë mostrat qelizore. Indet dhe organet e larguara pas vdekjes e ofrojnë një sasi të madhe të mostrave qelizore, por deri më tani shkencëtarët nuk ishin të sigurt nëse qelizat postmortale mund ta ofrojnë një amalgam të saktë për qelizat e një trupi të gjallë.

“Do të prisnit që me vdekjen e individit do të kishte një kalbje në veprimtarinë e gjeneve”, tha Roderic Guigó, profesor i biologjisë kompjuterike në Institutin e Shkencës dhe Teknologjisë të Barcelonës, për BBC News, transmeton koha.net.

Por kur Guigó dhe kolegët e tij e krahasuan aktivitetin gjenetik brenda qelizave nga indet postmortale dhe mostrat e organeve në aktivitetin gjenetik të gjakut të nxjerrë nga njerëzit e gjallë, ata zbuluan se shprehja gjenetike vazhdon pas vdekjes.

Derisa nivelet e pasvdekjes së ARN-së nuk zhduken, llojet e shprehjes gjenetike ndryshojnë pas vdekjes. Disa lloje të transkriptimit të ARN-së në fakt rriten pas vdekjes, tregoi hulumtimi.

“Ekziston një reagim nga qelizat ndaj vdekjes së individit. Ne i shohim disa rrugë, disa gjene që aktivizohen dhe kjo do të thotë se pas vdekjes ka akoma aktivitet në nivelin e transkriptimit”, tha Guigó.

Hulumtimi i ri i mbështet gjetjet e shkencëtarëve të tjerë që kanë treguar se përkufizimi mjekësor i vdekjes nuk është përfundimtar, dhe se madje edhe qelizat e trurit mund të vazhdojnë të funksionojnë në njëfarë kapaciteti pasi që zemra ta ketë ndaluar pompimin.

Disa studime madje kanë sugjeruar se vetëdija njerëzore mund të vazhdojë pas përcaktimit mjekësor të vdekjes – e përcaktuar nga ndërprerja e funksionit të zemrës dhe të frymëmarrjes.

Përveç ofrimit të një kuptueshmërie më të mirë të gjenetikës së qelizave tona, hulumtimet e fundit mund të frymëzojnë edhe teste të reja mjeko-ligjore, duke u mundësuar shkencëtarëve që ta parashikojnë më saktë kohën e vdekjes.

“Ne konkludojmë se ekziston një shenjë dalluese ose një ‘gjurmë gishtash’ në modelin e shprehjes së gjeneve pas vdekjes e që mund të përdoret përfundimisht në shkencën e mjekësisë ligjore, por nuk pretendojmë se e kemi tani një metodë që mund të përdoret në terren”, tha Guigó.