Pasuritë natyrore po dëmtohen nga shumë kompani që veprojnë ilegalisht

Në Kosovë, janë një numër i madh i kompanive private, të cilat shfrytëzojnë pasuritë minerale. Madje, shumë prej tyre veprojnë edhe ilegalisht, duke dëmtuar kështu vendin dhe duke shkatërruar pasuritë natyrore.

Për këtë, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale i ka lëshuar 37 kallëzime penale për operuesit ilegalë dhe janë ekzekutuar 39 gjoba për operime ilegale, raporton KTV.

Janë më shumë se 40 gurthyes ilegalë që veprojnë në vendin tonë pa i penguar askush.

Shumë prej tyre i shfrytëzojnë pasuritë minerale dhe pasi përfundojnë punën, nuk e bëjnë rehabilitimin e vendit ku eksploatojnë.

Për këtë, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale i ka lëshuar 37 kallëzime penale për operuesit ilegalë dhe janë ekzekutuar 39 gjoba për operime ilegale.

Sipas drejtorit të këtij komisioni, Ramiz Krasniqi, ka disa faktorë që po ndikojnë në këto dukuri.

“Dhënia e kontratave punuese nga kuvendet komunale dhe Ministria e Infrastrukturës, duke mos i marrë parasysh shkresat e dërguara nga KPMM-ja që për përdorimin e materialit në infrastrukturë dhe ngrohje, ndërmarrjet kontraktuese duhet të sjellin dëshmi (kanë apo jo licenca për mineralet e shfrytëzuara) për blerjen e atij produkti, qoftë ai për infrastrukturë apo për ngrohje”.

Krasniqi shton se ky komision është në vazhdim të inspektimeve dhe ndërmarrjes së masave për parandalimin e aktiviteteve të shfrytëzimit ilegal të resurseve minerale sipas Ligjit për Miniera dhe Minerale.

Edhe nga organizata për mbrojtjen e mjedisit thonë se përveç që shumë gurëthyes veprojnë ilegalisht ose iu ka skaduar kontrata e veprimtarisë, ata nuk e rehabilitojnë vendin ku kanë vepruar.

Megjithatë, edhe raporti i auditorit, gjatë kontrollimit, ka vërejtur që disa prej operatorëve ilegalë ende veprojnë.

“Përkundër që Inspektorati i KPMM-së kishte ndërmarrë bashkëveprime me institucionet përkatëse për ndaljen e operimeve ilegale dhe shqiptimin e gjobave, ne kemi vërejtur se efekti ishte i ulët. Vazhdimi i aktiviteteve të operatorëve ilegalë mund të shkaktojë mospërdorim të drejtë të pasurive minerale dhe shkatërrimin e tyre. Në anën tjetër, dështimi për të mbledhur gjobat e shqiptuara dhe vazhdimi i praktikave të tilla mund t’i nxisë operuesit ilegalë t’i shmangen pagesës për shfrytëzimin e pasurive minerare”, theksohet në raportin e auditorit.

Inspektorati në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka mohuar të ketë ndonjë gurëthyes ilegal.