Stomatologu kosovar po vazhdon të mbahet i arrestuar në Serbi

Stomatologu kosovar, Ibrahim Matoshi, i cili ditë më parë u arrestua në pikën kufitare të Dheut të Bardhë nga autoritetet serbe, po vazhdon të mbahet në burg.
Tashmë janë bërë dy javë që nga arrestimi i Matoshit nga autoritetet serbe. I njëjti, me profesion stomatolog në Gjermani, kishte ardhur me pushime në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Matoshi kishte ardhur në Kosovë përmes së njëjtës pikë kufitare, mirëpo në dalje ishte arrestuar.

Lajmi.net ka kontaktuar sot me vëllanë e tij, Musli Matoshin.

Ai ka thënë se ende nuk ka ndonjë zhvillim të ri lidhur me këtë çështje.

“Nuk ka asgjë të re për momentin. Nëse do të ketë diçka do të ju njoftojmë”, ka thënë shkurt sot Matoshi për lajmi.net.

E në një deklaratë të mëhershme dhënë për lajmi.net, Musli Matoshi kishte rrëfyer se i vëllau nuk kishte pasur asnjëherë probleme me ligjin.

“Vëllau nuk ka pasur asnjë aksident, asnjë gërvishtje me makinë në shtetin serb. Ai erdhi para 10 dite prej të njejtes pikë kufitare, ndërkaq që duke dalë nga e njëjta është arrestuar. Ai vjen në Kosovë shumë shpesh, ndërkaq që në Munih të Gjermanisë e kryen funksionin si stomatolog”, kishte rrëfyer Musli Matoshi.

Ndërkaq, sipas raportimeve të disa mediave lokale atje, Matoshi është arrestuar nga autoritetet serbe nën dyshimin për vrasje të dyfishtë të serbëve në vitin 1999. Megjithatë informacione të tilla nuk janë konfirmuar.

E ndërkohë Matoshi po vazhdon të mbahet në Serbi, vëllau i tij ka apeluar vazhdimisht përmes postimeve në Facebook që të gjindet një zgjidhje për këtë rast.

Vizioni.info Author