Thaçi harxhoi 11 mijë euro për bileta gjatë një udhëtimi në SHBA

Në udhëtimin e tij për në ShBA në prill të 2012-tës Hashim Thaçi kishte ulur në ulëset Business Class vetëm Bekim Çollakun. Faturat e biletave të aeroplanit dëshmojnë se pjesa tjetër e ekipit ishte ulur në ulëset e klasit ekonomik që atëkohë kushtonin rreth 2 mijë euro më lirë.

Kallxo.com zbulon se për udhëtimin në vizitë në Amerikë, Hashim Thaçi kishte paguar 3 mijë e 240 euro. Por, i vetmi që kishte pasur mundësinë të ‘ulet’ afër shefit, ishte këshilltari i tij, Bekim Çollaku, bileta të cilit kishte kushtuar po aq sa e atëkohë kryeministrit.

Për Thaçin e Çollakun shteti kishte paguar 6 mijë e 480 euro. Por, shumë më lirë kishin kushtuar biletat e vartësve tjerë, edhe pse të gjitha biletat ishin rezervuar në të njëjtën ditë.

Bashkë me Thaçin, në Amerikë në prill të 2012-tës kishin shkuar edhe Dhurata Hoxha, Mrika Kotorri, Edi Sejdiu, Astrit Ibrahimi dhe Xhavit Ferizi. Por biletat për secilin nga ta kishin kushtuar nga 922 euro. Ose në total për 5 zyrtarë shteti kishte paguar 4 mijë e 610 euro.

Llogaritja tregon se dy biletat e Thaçit dhe Çollakut, kishin kushtuar afër 2 mijë euro më shumë se sa të gjitha biletat e 5 vartësve të ish kryeministrit.