Challandes pret Shabanin e Hadërgjonajn te Kosova

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, beson se Meritan Shabani dhe Florent Hadërgjonaj do të luajnë për Kosovën. Ai thotë se me të dy futbollistët ka kontakte të rregullta.

Për Shabanin e Bayern Muenchenit është e interesuar edhe Shqipëria, kurse Hadërgjonaj priste një ftesë të Zvicrës për ndeshjet e këtij muaji, që nuk e mori, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Jam në kontakt me familjen e Meritan Shabanit. Me Shabanin shihen probleme me kombëtaren e Shqipërisë, por është familja e cila ka marrë një vendim. Kam biseduar me babanë dhe vëllanë e tij. Kemi drekuar me ta dhe është përgatitur ardhja e tij. Do t’ia lëmë kohës që ai të përgatitet dhe të na bashkohet. Jam edhe me shumë lojtarë të tjerë në bisedime për të ardhmen e Kosovës. Jam edhe me Florent Hadërgjonajn. Ai ka pritur një ftesë nga përfaqësuesja e Zvicrës, por nuk e ka marrë atë ftesë. Dhe tani më mbetet nga ky moment të nisi punën intensive që ta bindi të na bashkohet në përfaqësuese. Kam qenë në kontakt edhe me menaxherin e tij Erdin Shaqirin. Po punojmë shumë ta kemi Hadërgjonajn”, ka thënë Challandes.