Në Gjakovë, për një muaj u raportuan 12 raste të dhunës në familje

Në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, vetëm gjatë muajit gusht 2018, janë pranuar 12 raste të cilësuara si dhunë në familje, gjegjësisht për veprën penale nga neni 188/3 të KPK-së.

Po ashtu, Prokuroria njofton se për të gjitha rastet është marrë aktvendim për fillim të hetimeve, dhe u është caktuar paraburgimi 12 të pandehurve, dhe ndaj tyre është duke u zhvilluar procedura hetimore.

Gjithashtu, është marrë vendim për ekspertizë, ku për secilin rast pritet të kthehet ekspertiza nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, dhe të njëjtëve t’iu ngrihet aktakuza.

“Prokuroria Themelore në Gjakovës njofton opinionin se i trajton me seriozitet të lartë të gjitha rastet, duke iu kushtuar vëmendje të veçantë rasteve të dhunës në familje”, thuhet në njoftimin e PTH të Gjakovës.

Vlen të theksohet se në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, për rastet e dhunës në familje tash e dy vite është i caktuar një prokuror i cili merret ekskluzivisht me këto raste.