Diskutohet Projektligji për financimin e partive politike

Zyra e Kryeministrit ka mbajtur sot takimet konsultative me subjektet politike, institucionet e pavarura dhe organizatat ndërkombëtare në Kosovë (Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe me Zyrën e BE-së) përkitazi me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-174 për Financimin e Subjekteve Politike të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 dhe Ligjin nr. 04/L-212 dhe Ligjin nr. 03/L-073 për Zgjedhje të Përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-256. Në këtë takim, u vlerësua lart puna e bërë në përgatitjen e këtij projektligji i cili më tutje do të plotësohet me komentet që do të dërgohen me shkrim, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Qeveria e Kosovës.

Me qëllim që drafti i këtij Projektligji të ketë përmbajtje sa më profesionale, Qeveria e Republikës së Kosovës me anë të një kërkese zyrtare, i është drejtuar Komisionit të Venedikut, me kërkesën për shqyrtimin dhe ofrimin e rekomandimeve profesionale lidhur me përmbajtjen e Projektligjit. Në rrjedhë të kësaj, Komisioni i Venedikut me datë 25 qershor 2018, ka lëshuar Opinion lidhur me këtë Projektligj (Opinioni Nr. 922/2018, datë 25 qershor 2018), në të cilin ka ofruar rekomandimet përkatëse lidhur me përmbajtjen e Projektligjit.

Qeveria e Republikës së Kosovës pas pranimit të Opinionit, ka inkorporuar në Projektligj të gjitha rekomandimet përkatëse të Komisionit të Venedikut, dhe më pastaj Projektligjin me të gjitha komentet e inkorporuara, e ka dërguar sërish në procesin e Konsultimeve Publike tek institucionet përkatëse, si dhe e ka publikuar në platformën online për konsultime publike, me qëllim të rritjes së transparencës gjatë procesit të hartimit të Projektligjit, dhe kështu duke i mundësuar të gjitha institucioneve përkatëse dhe palëve të ndryshme të interesit që të ofrojnë komentet apo sugjerimet e tyre lidhur me këtë Projektligj.

Në këto takime konsultative po shqyrtohet në detaje drafti i Projektligjit, ku edhe janë pranuar komente të ndryshme, të cilat më pastaj pritet të inkorporohen në draftin e Projektligjit. /Vizioni.info/