Haradinaj: Kosova është adresa e duhur për investitorët e huaj

“Kosova është adresa e duhur për investitorët e huaj. Qeveria ka punuar në vazhdimësi që të krijoj kushtet më të mira për investimet direkte. Tani me ligjin e ri dhe me progresin e bërë në shumë fusha, është krijuar klimë e mirë për partneritet të suksesshëm dhe të qëndrueshëm ekonomik me investitorët serioz”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim përfaqësuesit e kompanisë “Rockaway Capital” të kryesuar nga Jakub Havrlant.

Kryeministri Haradinaj ka përmendur progresin e arritur në Kosovë në fushën ekonomike, në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, duke shtuar se Kosova ofron resurse të shumta njerëzore dhe infrastrukturore për të pranuar investime të huaja, veçmas në fushën e teknologjisë, telekomunikacionit, turizmit dhe fusha të tjera.

“Kosova ofron shumë dhe ne si Qeveri po punojmë që të krijojmë kushtet sa më të mira për investimet e huaja. Shembull i mirë i një storie suksesi është edhe projekti Gjirafa, themeluar nga investimi direkt i “Rockaway Capital” dhe Kosova ka nevojë dhe ka çka ofron edhe për storie të tjera suksesi”, tha Kryeministri Haradinaj.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i “Rockaway Capital”, Jakub Havrlant, shprehu interesimin e kompanisë së tij për të zgjeruar investimet në Kosovë, kjo shkas i suksesit të arritur deri tash me projektet aktuale, duke thënë se Kosova ofron shumë, veçmas në fushën e teknologjisë, turizmit, marketingut dhe telekomunikacionit.