Masakra në Dibër: Prokuroria urdhëron hetime për tre të dyshuar për vrasjen e trefishtë

Prokuroria Publike Themelore Gostivar ka urdhëruar zbatimin e procedurës hetimore kundër tre personave nën dyshimin se kanë qenë të involvuar në vrasjen e tre anëtarëve të familjes Pocesta në Dibër.

Sipas kumtesës së PPTH-së, e dyshuara e parë, femër e moshës 28-vjeçare, është nën hetim pasi ekzistojnë baza për dyshim se ka kryer vepër penale – vrasje sipas nenit 123 paragrafi 3 nga Kodi Penal. Për dy të dyshuarit e tjerë, një burrë 31-vjeçar nga Gostivari dhe një banor 62-vjeçar i Dibrës, ekziston dyshimi se i kanë ndihmuar në kryerjen me çka kanë kryer vepër penale – vrasje sipas nenit 123 paragrafi 3 lidhur me nenin 24 të Kodit Penal.

Duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore, prokurori publik kompetent gjykatësit i dorëzoi Propozim për përcaktimin e masës së arrestit për tre personat e dyshuar. Ky propozim u pranua dhe gjykatësi të dyshuarve u ka caktuar masë arresti në kohëzgjatje prej 30 ditësh, kumton PPTH.

Procedura hetimore vazhdon në drejtim të ndriçimit të plotë të këtij rasti dhe sigurimit të dëshmive materiale.

Siç publikuan më herët mediumet, e dyshuar për vrasjen e çiftit bashkëshortor Amid dhe Naymije Poceta dhe vajzës së tyre 14-vjeçare Anila, është vajza e madhe e familjes, Blerta. Në kryerjen e krimit të paparë deri tani, asaj i kanë ndihmuar Ferdi Gashi nga Gostivari dhe daja i tij Veap Glloboçishta.

Motivi për vrasjen, sipas medias, ka qenë përfitimi material nga sigurimi i Amidit të vrarë në Itali, ku ka jetuar familja.

Vizioni.info Author