Opozita: Shtyrja e seancës po bëhet qëllimisht në mënyrë që takimi Thaçi-Vuçiq të ndodhë

Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të VV-së, ka thënë se shtyrja e seancës së thirrur nga partitë e koalicionit qeverisës po bëhet me qëllimin që Thaçi të takohet me Vuçiqin.

“Kemi shtyrje të qëllimshme të seancës që Thaçi me u taku me Vuçiqin. Ky është qëllimi i Kadri Veselit. Ky është uzurpim i Kuvendit. 40 orë nuk i kanë mjaftuar pushtetit të përfundojë seancën, por qëllimi i tyre është që faktikisht të mos e përfundojnë këtë seancë”, ka thënë Konjufca në një konferencë për media bashkë me Hotin e LDK-së, Kusari-Lilën e Alternativës dhe Pantinën e PSD-së, raporton KTV.

Ai i bëri thirrje Veselit që të thërrasë seancën e opozitës.

“Kjo është kategori kushtetuese, kjo nuk i duron lojërat e Veselit. E ka obligim që ta thërrasë. Kërkojmë pra që sot ta thërras”, deklaroi zyrtari i VV-së.

Ndërkaq, deputetja e pavarur, Mimoza Kusari-Lila, ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi si personin e vetëm që ka prodhuar krizat e deritanishme në Kosovë dhe ka bërë thirrje që Kuvendi t’ia heq kompetencat për dialog.

“Në parlament duhet të kthehet diskutimi për platformën e dialogut dhe pastaj të diskutohet për ekipin negociuar. Ai ka kidnapuar kompetencat për të cilat është thirrur qeveria. Kosova ka nevojë për kthim në normalitet dhe i vetmi që i shkakton këto kriza është presidenti Thaçi”, ka thënë deputetja Kusari-Lila.

Edhe shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, e Shqipe Pantina e PSD-së, thanëse nuk po kërkojnë diçka që po kanë dëshirë, por diçka që është e rregulluar me kushtetutë, siç është thirrja e seancës së jashtëzakonshme.