Përfaqësuesja zhvillon stërvitjet e fundit para udhëtimit në Baku

Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar sot stërvitjet e fundit para se të nisen për në Baku për ndeshjen kundër Azerbajxhanit.

Trajneri Bernard Challandes ka thënë se gjatë stërvitjeve të kësaj jave ka punuar në lojën presing, gjuajtje të lira dhe për penaltitë.

“Unë dhe shtabi teknik kemi punuar mjaft këto ditë si në mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Kemi ushtruar lojën presing, gjuajtjet e lira, nga kënda e pika e bardhë. Kemi një kundërshtar mjaft të fort e me agresivitet. Dua të kemi një ekip të mirë dhe nuk jam i fokusuar në individë. E di që të gjithë kanë dëshirë të luajnë, por ne duhet ta dimë se kemi dy ndeshje dhe duhet të kemi lojtarë për dy ndeshje. Do të bëjmë atë që mundemi më së miri”, ka thënë Challandes për faqen zyrtare të FFK-së.

Kapiteni i përfaqësueses, Samir Ujkani, ka vlerësuar se Azerbajxhani ka skuadër të fortë, por ka thënë se ekziston motivi i Kosovës për të siguruar pikë nga ky udhëtim.

“Jemi përgatitur maksimalisht këto ditë, sepse nuk ka kundërshtarë të lehtë. Azerbajxhani ka një skuadër të mirë, por ne do të mundohemi të japim maksimumin tonë të dijës dhe forcës që të dalim faqe bardhë nga kjo ndeshje. Ekziston motiv dyfishtë për neve, një herë për fitore njëherë do të luajmë për ish presidentin Vokrri”, ka thënë Ujkani.

Vizioni.info Author