Droni ka marrë pamjet e fushës turke, ku janë shtrirë mijëra tepihë të punuar me dorë [Foto]

Imazhet e mahnitshme të realizuara nga droni, shfaqin një fushë në Turqi, ku janë shtrirë mijëra tepihë të punuar me dorë, që dielli t’ju zbutë ngjyrat dhe t’ju rritet vlera sa më shumë.

Në hapësirën prej 200 hektarësh, që ndodhet në fshatin turistik Desemealti të Antalias, janë shtrirë më se 25 mijë tepihë.

Temperaturat e larta që po mbizotërojnë këtë vit në atë zonë, do të bëjnë që ngjyrat e tyre të zbuten, bashkohen dhe të harmonizohen mes vete. Varësisht nga dëshira, tregtarët i lënë ato jashtë aq sa duan që ngjyrat e tyre të zbehen.

Para se të aplikohet kjo metodë natyrore, e vjetër disa dekada, tepihët lahen, thahen dhe shkunden nga pluhuri, ndërsa shtrihen për çdo ditë gjatë një muaji.

“Kemikalet që kanë ngjyrat e materialit që përdoret për endje, janë shumë të forta dhe t’i marrin sytë. Nën diell tonet zbuten, bëhen shumë më të dashura”, ka thënë Ibrahim Geyikoglu, përfaqësues i Unionit të Eksportuesve të Tepihëve me bazë në Stamboll.