Gashi: S’do të ngriten aktakuza ndaj liderëve nga Specialja, pa u kryer bisedimet me Serbinë

Zyra e Prokurorit të Specializuar të Gjykatës Speciale ka konfirmuar se është në proces të intervisimit të dëshmitarëve për shumë krime, duke theksuar se janë rreth 700 mijë faqe material për ngritje të aktakuzave, dokumente të cilat janë duke u hulumtuar.

Por, një gjë e tillë është kundërshtuar nga avokati kosovar, Tomë Gashi në një prononcim për “Indeksonline”. Sipas tij, nuk është e vërtetë që vetëm tani ka filluar intervistimi i dëshmitarëve nga ana e zyrës së prokurorit special në Hagë.

“Gjykata Speciale me seli në Hagë, është formuar posaçërisht me trysninë e Serbisë dhe nuk është e vërtetë që vetëm tani ka filluar intervistimi i dëshmitarëve nga ana e zyrës së prokurorit special në Hagë, zyrë e cila ka mandatin që si institucion t’i paraqes akuzat pranë Gjykatës Speciale. Por unë besoj që në bazë të rrethanave që tani janë, posaçërisht negociatat që janë duke u bërë me Serbinë, e cila më nuk e ka prioritet as të përafërt presionin e Gjykatës Speciale për ngritjen e akuzave. Unë besoj eventualisht që në raste të njëjta por në asnjë variant negociatat me Serbinë sa do të zgjasin nuk do të kemi asnjë akuzë të ngritur të nivelit të lartë eventualisht që do të mund të përfshiheshin zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës.” është shprehur ai.

Më tutje, avokati kosovar beson se Gjykata Speciale nuk do ta akuzojë asnjë liderë të Kosovës që sipas tij, bëhet fjalë për presidentin, Hashim Thaçi, Kryeministrin, Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentarin, Kadri Veselin, siç thotë Gashi, derisa të përfundojnë bisedimet me Serbinë.

Gashi ka thënë se kjo gjykatë është krejtësisht politike, duke përmendur edhe deklaratën që është dhënë nga zëdhënësi i zyrës së prokurorit special në Hagë, ku sipas Gashit, u tha se ka gjashtë vite që janë duke u grumbulluar prova.

“Dhe në vet deklaratën që është dhënë nga zëdhënësi i zyrës së prokurorit special në Hagë, është thënë se këta që gjashtë vite janë duke grumbulluar prova, më herët ka qenë edhe Task Forca speciale e ngritur pas raportit të senatorit zviceran, Dick Marti, që i bie se vërtetohet se kjo gjykatë është krejtësisht politike, ka konotacion të gjykatës ndërkombëtare dhe shumë pak varet nga shteti i Kosovës apo nga politika e Kosovës se kur do të ngritën këto akuza, kush do të jetë i akuzuar dhe bashkëpunimi në institucionet e shtetit të Kosovës është thuajse se zero.” tha Gashi.

Ndryshe, ai konsideron se Gjykata Speciale mban kontakte me institucionet serbe por nuk ka asnjë raport me institucionet kompetente në Republikën e Kosovës, që sipas tij, kjo tregon se gjithçka rreth kësaj gjykatë është e domenit politik dhe vetëm politika ndërkombëtare do të tregonte se kur mund ngriten aktakuzat, ku edhe mund të përfshihen zyrtarë të Kosovës.