Haradinaj inspektoi punimet në Autostradën ‘Arbën Xhaferi’

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot punimet në Autostradën “Arbën Xhaferi”, Prishtinë -Hani i Elezit, përkatësisht në hyrje të Hanit të Elezit, segmenti B406-407, ku është duke u ndërtuar një prej urave më të mëdha në rajon në gjatësi prej 6 km.

Kryeministri Haradinaj, i cili shoqërohej edhe nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se është i kënaqur me dinamiken se si po zhvillohen punimet në këtë segment, derisa theksoi se është i bindur që punimet në fjalë janë nën angazhimin e kompanisë më të sigurt në botë.

“Jemi sot bashkë me ministrin Lekaj, në punishte ku po punohet rruga 6, jemi të bindur se kjo punishte është në duart me të sigurta në botë, njerëzit më kompetent. E mira është se janë katërmijë njerëz që punojnë. Janë qindra kompani të Kosovës të kontraktuara me njerëz të Kosovës që punojnë dhe do të përfitojnë nga kjo përvojë”, tha Kryeministri, gjatë inspektimeve.

Ndërkaq, Drejtori i projektit të kompanisë Bechtel Enka, Riyadh Alkaëazayi, e ka falënderuar kryeministrin që sot mori pjesë në inspektimet e punimeve në këtë segment të autostradës dhe për interesimin e tyre për t’i parë nga afër zhvillimet.

Ai tha se është i lumtur që t’i tregojë kryeministrit për progresin, i cili personalisht është angazhuar për mbarëvajtjen dhe angazhimin e këtij projekti.

Kryeministri Haradinaj, kërkoi që të vazhdohet me dinamikën e punimeve të deritashme dhe që punimet të përfundojnë para ndërrimit të moteve. /Vizioni.info/