Krasniqi: Bojkoti i opozitës nuk po i sjellë asgjë të mirë Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar partitë opozitare se po bojkotojnë punën e Kuvendit duke mos marrë pjesë në seancën e thirrur nga Qeveria e Kosovës për emërimin e ekipit negociator.
Ai ka thënë se opozita duhet ta kuptojë që bojkoti deri më tani nuk ka sjellur asgjë pozitive për proceset në vend, shkruan lajmi.net.

Krasniqi ka shtuar se bojkoti i opozitës ka sjellur edhe mospjesëmarrjen e koalicionit qeverisës në seancën e jashtëzakonshme që pritej të mbahej sot.

“Unë shpresoj që opozita e ka kuptu që qasja e bojktotit që e kanë instalu nuk sjellë asgjë pozitive. E vërteta është që bojkoti rëndom sjell bojkot dhe kjo nuk i bën mirë askujt. Ne e kemi humbur ditën e tretë në Kuvendin e Kosovës me seancat që nuk kanë filluar të mbahen me bojkotin e opozitën që kanë sjellur edhe refuzimin e koalicionit qeverisës për të marrë pjesë në këtë seancë. Tanimë jemi në një situatë që jemi, shpresoj që në mbledhjen e Kryesisë të marrin pjesë të gjithë që të dalim nga kjo situatë”, ka thënë Krasniqi.

Ai tutje ka shtuar se rezoluta e nxjerrë nga kjo seancë duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo vetëm me një fjali.

“Rezoluta duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo një rezolutë që ka vetëm një fjali. Nuk kemi kohë për të humbur ngase dialogu këtë muaj hynë në fazën finale. Besimin për ta udhëheq procesin e dialogut e japin qytetarët e Kosovës dhe ata e kanë bërë zgjedhjen e tyre përmes zgjedhjeve, mirëpo të gjithë përfaqësuesit e popullit kanë përgjegjësi në këtë proces. Kosova do të jetë shumë më e fuqishme nëse Kosova në dialog shkon e bashkuar si pozitë dhe opozitë”, tha ai.

Krasniqi më tej ka thënë se bojkotimi i seancës së Kuvendit nga opozita është i pakuptimtë.

Ai ka shtuar se partitë opozitare kanë pasur një neglizhencë në lidhje me këtë çështje, dhe tani befasisht po duan që të interesohen për dialogun.

“Ata e bojkotuam seancën e thirrur nga Qeveria dhe kjo është e pakuptimtë. Më 8 maj ne e kemi organize një tryezë, ua kemi dorëzuar një dokument me 5 pika me rëndësi nacionale. Absolutisht asnjë fjalë nuk e kemi ndëgju gjatë pushimeve, dhe tani atyre u kujtohet se duhet ta mbrojnë territorin e vendit. Deri në këtë ditë opozita është marrur vetëm me presidentin, dhe në momentin që e sjellim një ekip gjithëpërfshirës ku i ftojmë të marrim pjesë, ata përsëri refuzojnë. Ne e kuptojmë etjen për pushtet, mirëpo nuk ka zgjedhje në Kosovë”, ka thënë ai.

Kujtojmë se seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës e cila parashihej që të fillonte në orën 10:00 është mbyllur ndërkaq që Veseli ka thirrur mbledhjen e Kryesisë.