Patpozicioni politik i Kosovës

Shkruan: Lulëzim ETEMAJ

Në mungesë të kuorumit, dje ka dështuar fillimisht seanca e Kuvendit të Kosovës e thirrur nga qeveria e Kosovës për ta votuar ekipin për dialog me Serbinë, të formuar nga kryeministri Haradinaj, të cilin do të duhej ta drejtonte zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Fatin e njëjtë të dështimit e ka përjetuar më vonë edhe seanca e jashtëzakonshme e orës 9.30, e thirrur nga opozita me qëllim të votimit të një rezolute që do të ndalonte negocimin e kufijve në dialogun me Serbinë.

Mungesea e numrit prej së paku 61 deputetëve në sallën e Kuvendit të Kosovës, të pozitës apo të opozitës, të cilët përbëjnë kuorumin për votim, dëshmon publikisht pat pazicionin në të cilin gjenden institucionet e Kosovës dhe, rrjedhimisht, e gjithë skena politike në vend.

Në raport me pozitën, mungesa e 61- shit famoz paraqet avarinë e radhës të koalicionit qeverisës. Formimi i ekipit negociator nga ana e kryeministrit Haradinaj mund të jetë një nga shkaktarët kryesor të saj. Si për deputetët e Kuvendit të Kosovës, pozitë dhe opozitë, ashtu edhe për opinionin publik, mungon ende përgjigja publike e qeverisë në pyetjen direkte: meqë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel presidentësh është duke u mbajtur nën organizimin e BE-së, a ka qenë kërkesë e BE-së formimi i një ekipi të tillë nga Qeveria e Kosovës?

Po t’i ishte kërkuar Kosovës një ekip i tillë, gjithsesi që do t’i kërkohej e njëjta gjë edhe Serbisë, përndryshe BE do ta rrezikonte balancin e dialogut. Ky fakt e bën ekipin negociator të qeverisë një ekip koti. Është Brukseli ai që dialogun e ka lënë në duar të presidentit të Kosovës, Thaçi, dhe atij të Serbisë, Vuçiq. Krejt kjo qëndron në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Sipas saj, Presidenti i Republikës është përfaqësues legjitim i vendit brenda dhe jashtë.

Si qeveria Haradinaj ashtu dhe opozita nuk e kanë në duart e tyre as kahjen dhe as fatin e këtij dialogu. Nuk mund t’i caktojnë dhe as t’i ndryshojnë bartësit e tij. Përtej retorikës së kot politike, deklarata e kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj, e dhënë në emisionin “Pressing”, se ekipi është krijuar për të mos e lënë dialogun vetëm në duar të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, shpërfaq të çarat e koalicionit qeverisës, përderisa PDK dhe as partnerët tjerë të koalicionit kanë një qëndrim krejt tjetër.

Jo ekipi negociator i qeverisë, por Kuvendi, institucioni i shtetit, ku paraqiten për ratifikim marrëveshjet ndërkombëtare pas nënshkrimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, është ai që e garanton moslënien e dialogut vetëm në duartë e Presidentit. Është detyrë e partive politike dhe deputetëve të Kosovës të sigurojnë paraprakisht konsensusin e nevojshëm politik pro apo dhe kundër marrëveshjeve të tilla, dhe, më pastaj, këtë konsensus ta demonstrojnë përmes votës.

Në këtë kuadër, përveç shpenzimeve të shumta që do t’i shkaktonte buxhetit të shtetit, shtrohet pyetja: çfarë do të bënte tjetër ekipi negociator i Qeverisë së Kosovës në Bruksel? Nisur nga përbërja e tij aktuale, asnjëri prej tyre nuk shquhet si ekspert që do të mund të ofronte madje as ndonjë mbështetje teknike.

Është e vetëkuptueshme që çdo qeveri konsumohet dhe humb në besim gjat mandatit qeverisës. Absurde dhe njëkohësisht edhe e dhimbshme është situata kur një vendi i konsumohet opozita, siç është duke i ndodhur Kosovës. A nuk janë shpërfaqje të këtij konsumimi situatat kur në vend të ofrimit argumentues të alternativës dhe vizionit politik për sfidat me të cilat po përballet shteti i Kosovës dhe qytetarët e saj, kryeopozitari, njëherit lider i VV-së, Albin Kurti, merret me martesat e fëmijëve të kundërshtarëve politik, kurse shefi i grupit parlamentar të po të njëjtës forcë politite, Glauk Konjufca, merrret me ankesa vajshpërthyese për “kalkulim me numra dhe jo sinqeritet” nga ana e pozitës?!

T’i kthehemi sërish patpozicionit politik, gjendjes kur as pozita dhe as opozita s‘e kanë kuorumin e nevojshëm; situatës kur si njërës ashtu dhe tjetrës, kuorumin e ka në dorë t‘ua bëjë Lista Serbe.

Patpozicioni politik i Kosovës tashmë nuk mund të mbahet më tutje nën rrogoz. Po ta kenë mbi gjithçka interesin e shtetit, siç deklarohen pozita dhe opozita, nuk do të pranonin ta linin fatin e të ardhmës së shtetit të Kosovës peng të Listës Serbe. Tashmë dihet çfarë fati ka shndërrimi i FSK-së në ushtri në mungesë të vullnetit të Listës Serbe për t’i bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat e kërkojnë domosdoshmërisht votën e deputetëve serbë të Kuvendit të Kosovës. Poashtu dihet dhe qendrimi i prerë i SHBA-ve dhe BE-së, që Kosova mund ta bëjë ushtrinë vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese.

Partitë politike shqiptare të Kosovës e kanë obligim qytetar, shtetëror dhe kombëtar ta gjejnë mekanizmin që i hap derën REFERENDUMIT, mekanizmit më demokratik të shprehjes së vullnetit të qytetarëve. Në të kundërtën, ky vendnumrim mund të sjellë rreziqe për paqen sociale, rendin dhe sigurinë dhe përgjithësisht të ardhmen e shtetit të Kosovës.

Vizioni.info Author