Buroja e Hashim Thaçit me asfalt të shkatërruar

Rrugët që të dërgojnë te shtëpitë e familjes së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në fshatin Burojë të Skenderajt, nuk janë gjendje të mirë.
Gjendja e keqe në rrugën rajonale që fillon nga fshatrat Turiqec dhe Burojë që lidhë Skenderajn me qytetin e Klinës po vështirëson qarkullimin e automjeteve.

Banorë të fshatit Burojë janë ankuar për rrugën ‘Smajl Rexha’ që ndodhet në hyrjen e këtij fshati, që sipas tyre po paraqet rrezik për vozitësit dhe kalimtarët.

Shyqyri Qelaj, banor i kësaj ane, tha se përveç që rruga po u’a dëmton veturat, sipas tij në këtë pjesë nevojitet edhe trotuare që janë më të nevojshme për nxënësit.

“Rruga Skenderaj- Turiqec-Burojë, është katastrof, në gjendje shumë të keqe, të mjerueshme. Kerret po na dëmtohen për çdo ditë, qytetarët po e paguajnë me shpinë, po duhet me lek, për ditë po ka probleme me kerre, rruga është mjerim”, tha Qelaj.

“Kjo rrugë ka nevojë me pasë trotuar për nxënës, për këmbësorë, se është shumë e rrezikshme”, shtoi ai.

Sipas qytetarit tjetër, Fadil Rexha, gropat e këtyre rrugëve po e shtojnë rrezikun këmbësorëve dhe vetë atyre si vozitës pasi për ta shmangur rrugën e dëmtuar kalojnë në shiritin e kundërt.

“Gropa ka shumë, me i shiku fortë s’po i shikojnë këta të komunës. Po duhet me ju ikë prej rruge, është rrezik është për këmbësorët edhe për ne shoferët”, tha Rexha.

Një banor në afërsi të rrugës ‘Smajl Rexha’ u shpreh për kallxo.com se rruga është rregulluar dy herë, por që është përkeqësuar menjëherë.

“Që në fillim e kanë shtru dobët, kur është bërë dy ditë është dëmtu menihere, nuk është dashtë me e ndodhë aq shpejtë, këtu dimrit zakonisht kur bie borë, këtu hekin shumë kerret, bohet reni deri në Turiqefc”, tha ai.

Para disa jave, Komuna e Skenderajt ka bërë publike në faqen zyrtare në ‘Facebook’ letren ku ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës të riparojë një pjesë të rrugës të quajtur “Të Përmendorja e Beqir Mehmetit”.

“Duke ditur që autoriteti kompetent kryesor që menaxhon me rrugët regjionale është Ministria e Infrastrukturës, kërkojmë nga autoriteti i kësaj Ministrie që të dërgojë ekipet në terren për të vlerësuar gjendjen e rrugës, njëkohësisht kërkojmë nga autoriteti i saj që brenda mundësive të merrni masa të menjëhershme për renovimin e rrugës, përkatësisht pjesëve të dëmtuara përgjatë këtij segmenti”, thuhet mes të tjerash në kërkesën drejtuar MI-së, me disa fotografi të bashkëngjitura.

Ndërsa, Argjend Zejnaj, shef i kabinetit të Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj ka thënë për kallxo.com se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë për ndihmë për rregullim të rrugëve të kësaj ane dhe se kjo nuk është kompetencë e tyre por e komunës së Skenderajt.

“Rrugët në fjalë janë kompetencë e komunës së Skenderajt dhe deri më tani Ministria e Infrastrukturës nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për ndihmë në sanimin e tyre. Megjithatë, kurdo që MI do të pranojë kërkesë nga kjo komunë, është e gatshme të shqyrtojë mundësitë buxhetore për intervenim në rrugët e Burojës”, ka thënë zyra e MI-së.