Mancini zbulon problemin e Balotellit te Italia

Mario Balotelli nuk shfaqi lojë të mirë në rikthimin e tij te Italia ndaj Polonisë.
Roberto Mançini e nisi rrugëtimin zyrtar në drejtimin e Italisë me barazim, por pas ndeshjes duket i bindur, i sigurt dhe besimplotë për të ardhmen.

Sepse ai thotë që djemtë e tij në tërësi bënë një ndeshje të mirë.

“Ishte ndeshja e parë e rëndësishme dhe sigurisht që ndonjë gabim edhe lejohet. Në tërësi, lojtarët bënë një ndeshje të mirë dhe treguan vlerat e tyre”, tha fillimisht Manço. Më tej, trajneri i Italisë ndalet edhe në mënyrën e lojës dhe analizën e shkurtër për të shpjeguar performancën e të tijve.

“Në pjesën e dytë luajtëm më mirë dhe korrigjuam gabimet që bëmë në të parën. Gabuam kur kërkonim të dilnim përpara me topin, por në këtë mënyrë u linim shumë hapësira kundërshtarëve për të shfrytëzuar kundërsulmin. Ishte thjesht ndeshja e parë, ndaj një rivali më të kolauduar që ka lojtarë cilësorë dhe luajnë prej kohësh me njëri-tjetrin”, vazhdoi më tej numri një i “Azzurrëve”.

BALOTELI DHE KIEZA– Gjatë fjalës së tij, ai u ndal edhe tek individët e veçantë. Më së shumti te Baloteli dhe Kieza. I pari nuk bëri asgjë, ndërsa i dyti u fut dhe ndryshoi lojën. “Mario ka nevojë që të luajë. Është një sulmues i nivelit botëror dhe i duhet thjesht të ketë kondicionin e duhur fizik që të bëjë gjërat e duhura në fushë. Fërshëllimat për të? Janë pjesë e lojës. Kieza? Ai është një nga të rinjtë ku duhet të bazohemi në të ardhmen. E tregoi në fushë dhe bëri diferencën. Në Portugali duhet të marrim rezultat më të mirë. Ta nisim nga pjesa e dytë me Poloninë”, përfundoi trajneri Mançini.