6 muaj burg për kanosjen e inspektorit

Gjykata e Gjakovës në shqyrtimin e sotëm gjyqësor ka shpallur aktgjykimin në rastin e Besnik Thaqit, i akuzuar për kanosje të zyrtarit të Inspektoratit në Gjakovë.
Me këtë rast, Gjykata i shqiptoi dënim prej 6 muajsh burg të akuzuarit.

Gjatë seancës, kur dha mbrojtjen, i akuzuari u deklarua i pafajshëm duke mos e pranuar veprën që i ngarkohet. Po ashtu, ai kërkoi nga Gjykata që ta lirojë nga akuza e Prokurorisë.

“E vërtetë që unë kam shkuar në zyrën e inspektorit Afrim Kuqi dhe i kam thënë që gjoba e shqiptuar është e lartë dhe nuk është në rregull, mirëpo nuk kam shkuar me mendimin për ta kanosur”, theksoi i akuzuari Thaqi.

Prokurori Armend Zenelaj në fjalën e tij përfundimtare tha se në tërësi është vërtetuar fajësia e të akuzuarit, duke i propozuar Gjykatës që të njëjtin ta dënojë sipas ligjit.

Menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit me kërkesën e të akuzuarit që dënimi i shqiptuar me 6 muaj burg t’i zëvendësohet me gjobë, gjyqtari i çështjes Mentor Bajraktari me aktgjykim shqiptoi dënimin e zëvendësuar në lartësi prej 3.000 eurove, e cila shumë duhet të paguhet në afat prej 2 muajve.

Ndërsa i dëmtuari Afrim Kuqi nuk kërkoi kompensim dëmi nga Gjykata, mirëpo i njëjti sa i përket ndjekjes penale shtoi duke thënë “kërkoj që drejtësia ta japë fjalën e saj”.

Sipas aktakuzës, më 28 qershor 2016, në zyrat e Inspektoratit në Gjakovë, i pandehuri kanos seriozisht të dëmtuarin Afrim Kuqi nga Deçani, ashtu që pasi shkon në zyrën e tij i drejtohet me fjalët “mos më fut në burg!”, “hiqe gjobën ose të hedh për dritare!”, duke i shkaktuar frikë dhe ankth të dëmtuarit.

E gjithë kjo kishte ndodhur pasi që ankuesi me kërkesën e Policisë në detyrën zyrtare të tij si inspektor, kishte shkuar tek i pandehuri dhe pasi ka vërejtur parregullsi e kishte sanksionuar me gjobë prej 3.600 euro, thuhet në aktakuzë.

Me këto veprime dyshohet se i akuzuari ka kryer veprën penale të kanosjes.