Ministri Bytyqi vizitojë shkollën në të cilën u protestua, ja çka tha

Ministri i Arsimit (MASHT), Shyqiri Bytyqi sot ka vizituar shkollën fillore “Mihal Grameno”, në Fushë Kosovë, ku ka thënë se ky vit do të jetë vit i kthimit të vlerave të sistemit arsimor në Kosovë.

Kjo vizitë ka ardhur pas protestave të Këshillit të Prindërve dhe nxënësve të shkollës “Daut Bogujevci” ditë më parë, si shenjë pakënaqësie me vendimin e Komunës së Fushë Kosovës, që objekti i ri i shkollës t’i ofrohet shkollës “Mihail Grameno”.

Ai tha se pavarësisht problemeve që paraqiten, mësimi duhet të vazhdoj siç duhet, pasi profesioni i mësimdhënësit është i shenjtë.

“Ky vit do të jetë vit i kthimit të vlerave të sistemit arsimor në Kosovë. Kemi marr shumë informacione për komunën e Fushë Kosovës dhe për problemet e shkollave në këtë komunë. Pavarësisht problemeve mësimin duhet ta bëjmë siç duhet. Pasi profesioni i mësimdhënësit është i shenjtë. Konsideroj që prindërit duhet ta luajnë një rol shumë të rëndësishëm pasi nuk mund të lëvizim përpara pa prindër. Duhet të ulemi me prindër dhe të diskutojmë. E kemi të qartë që Fushë Kosova ka shumë probleme, mirëpo shpreh gatishmëri që të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje. Për mu është shumë e rëndë që të mbyllet x shkolla për shkak që s’ka numër të nxënësve, se sa që ka numër të madh të nxënësve pasi këtë do ta zgjidhim bashkë. Shtimi i normave duhet të vij nga Ministria e Financave. Mirëpo ajo për çka jemi të gatshëm është që të shkojmë bashkë tek kjo ministri”, ka thënë Bytyqi.

Ministri i Arsimit tha se komuna e Fushë Kosovës ka nevojë për më shumë shkolla.

“Për shkolla dhe ndërtimin e tyre, Fushë Kosova ka më shumë nevojë. Për çka do që ministria jonë mund të ju ndihmoj jemi të gatshëm. Na obligon shumë që gjithë fëmijëve t’i krijojmë kushte të veçanta për mësimnxënie të mirë. Jemi duke shqyrtuar një mundësi projekti me studentët universitar që janë në përfundim ndoshta vullnetarisht të jenë asistent nëpër shkolla. Besoj që do të gjejmë një mirëkuptim me studentët që të jenë pjesë e këtij procesi”, tha ndër të tjera ai.

Në vizitën që ia bëri kësaj shkolle, ai gjithashtu potencoi se është faza përfundimtare që të depolitizohet arsimi në Kosovë.

“Është faza përfundimtare që ta depolitizojmë arsimin dhe me këtë t’i shtojmë kompetencat e drejtorëve të shkollave. Që të bëhet një menaxher i mirë”, u shpreh ministri Bytyqi.

Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Fadil Krasniqi, kërkoi nga ministri Arsimit që të ofrojnë ndihmë për zhvillimin e kushteve normale të mësimit në këtë komunë.

“Komuna e Fushë Kosovës është një komunë e cila dita ditës po rritet, si nga aspekti i zhvillimit ekonomik, për nga numri po edhe nga nxënësit. Duhet të krijojmë kushte që këta fëmijë t’i zhvillojnë mësimet në kushte normale. Bashkë më stafin e shkollës kërkojmë nga ministria që të na ofroni ndihmë”, tha Krasniqi.

Ndërsa, drejtori i shkollës fillore “Mihail Grameno”, Ismet Gashi theksoi problemet dhe nevojat që i ka ky institucion arsimor.

“Kemi nevojë për një objekt të ri shkollor. Kemi nevojë që të shtojmë dhe 12 paralele, gjashtë në ciklin e ultë dhe gjashtë në ciklin e lartë. Nga viti i kaluar dhe në këtë vit kemi 20 mësimdhënës që nuk janë në sistemin e pagave me buxhet të Kosovës. Këto dy vite të fundit kemi një shqetësim alarmant pasi kemi shtatë nxënës me sindrome Down. Kërkojmë që mësimdhënësit t’i kenë dhe asistentët e tyre për këto raste. Kërkoj gjithashtu një psikolog në shkollë”, ka thënë drejtori Gashi.