Veseli: Kosova s’ka pretendime territoriale, por do të kujdesemi për shqiptarët e Luginës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është takuar sot në Shqipëri me kreun e PD-së, Lulzim Bashën.
Aty Veseli ka thënë se ajo çfarë i duhet Kososvës është konsensusi për një platformë nacionale në ballafaqimin e fundit me Serbinë, shkruan lajmi.net.

Sipas tij, kjo platformë duhet të ketë vetëm një rezultat, e që sipas tij është marrëveshja finale e cila i siguron Kosovës anëtarësim në Organizata Ndërkombëtare.

“Ajo se çfarë i duhet Kosovës më së shumti është konsensusi nacional. Na duhet platforma nacionale e ballafaqimit final të Kosovës me shtetin serb, e cila do të ketë vetëm një rezultat dhe ai është anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Tutje, Veseli ka thënë se Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti, ngase ka sovranitetin dhe tërësinë e saj.

“Kosova nuk ka çfarë të jep dhe Kosova nuk ka çfarë të merr as nga të tjerët, Kosova është shtet sovran dhe e ka territorin e vet. Standardet të cilat ne i kemi ndërtuar për qytetarët e serbë duhet të respektohen edhe për vëllezrit tanë në Luginën e Preshevës. Nuk kemi pretendime ndaj asnjë shteti por do të kemi përkujdesje për qytetarët tanë. Nuk kemi ndasi mes vete, dhe nuk duhet të bartim probleme që kanë të bëjnë me egon për pushtet”, ka thënë Veseli.

Ndërkaq kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka thënë se tash është koha që faktori politik shqiptar duhet të jetë i bashkuar. Basha është shprehur se partia që ai udhëheq përkrah dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe sipas tij një marrëveshje duhet të ketë epilog final anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Me Veselin kemi pasur një bisedë të hapur dhe produktive dhe vëllazërore. Theksi në këtë kohë sfidash është tek uniteti i faktorit politik shqiptar, tek qëndrimi i përbashkët i të gjitha forcave politike në Tiranë. Partia Demokratike mbështet fuqishëm dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit në funksion të normalizimit të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke. Është e rrezikshme për stabilitetin e rajonit që të rihapen këto kapituj të mbyllur që prej kohësh. Sikundër është e një rëndësie themelore për të zbprasur çdo ofensivë kundër paqes dhe stabilitetit”, ka thënë Basha.

Kujtojmë se Veseli po qëndron për një vizitë zyrtare në Shqipëri së bashku me dy zëvendëskryeministrat, Fatmir Limajn dhe Dardan Gashin.