Ismet Beqiri për përplasjen e Hazirit dhe Osmanit: Do të angazhohemi që LDK mos të dëmtohet

Ditë më parë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, e kishte sulmuar deputeten Vjosa Osmani nga po e njëjta parti pasi që kjo e fundit bashkë me dy deputetët LDK-së, Armend Zemaj dhe Haxhi Avdyli, kishin vizituar Kullën e Isa Boletinit në veri të vendit.

‘’Nuk po çuditna me Armend Zemajn e Haxhi Avdylin, por po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet men te Boletini i Kosovës, tue harrue vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi. Po i kallxoj asaj dhe krejt atyne që ‘shesin men’ për vota se qysh e kam pru simbolikisht Idriz Seferin n’Gilan, kam me e pru edhe vendlindjen e tij në Kosovë, Preshevën. Kam me e pru edhe Bujanocin, edhe Medvegjën, edhe autostradën, e edhe hekurudhën. Kosova Lindore ka me qenë Kosovë. Tash asht koha. E kemi amanet me e ba të mundun. Kush e konteston këtë fakt, fort marre duhet me i ardhë!’’, kishte shkruar Haziri në ‘’Facebook’’.

Ndërsa, i menjëhershëm ka qenë reagimi nga deputetja Osmani e cila e kishte ‘’përshëndetur’’ nënkryetarin e partisë së tij me disa fjalë të Isa Boletinit, shkruan lajmi.net

‘’Para se të jem nuse e Preshevës, unë jam bijë e Mitrovicës. Atyre që i bëjnë argat idesë së ndarjes do u thosha marre ju koftë, por kurrë në jetën e tyre s’kanë pasur as marre e as fytyrë. Askush s’ka çka çuditet nga qëndrimet e mia, sepse ato janë qëndrime të LDK-së, të mbrojtjes së integritetit territorial, kushtetutës e deklaratës së pavarësisë dhe paqes dhe sigurisë në rajon, e të vulosura në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Këto qendrime nuk janë vetëm të miat, Armend Zemajt e Haxhi Avdylit, por janë të Kryesisë së LDK-së, degëve të LDK-së dhe gjithë Grupit Parlamentar të LDK-së. Por mbi të gjitha janë qëndrime që mbrojnë shqiptarët e Luginës nga gënjeshtrat e mashtrimet tuaja e të Hashimit. Qytetarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit nuk përbijnë më dot kurthe që ju dhe Thaçi ua servoni e nuk lejojnë që dinjiteti i tyre të përdoret për perfitime tuajat elektorale. Për fund, ju përshëndes me këto fjalë të heroit Isa Boletini nga viti 1901’’, kishte shkruar Osmani.

Se ka apo nuk ka përçarje brenda partisë, deputeti Ismet Beqiri për lajmi.net thotë se i cilëson si përplasje jo serioze, madje thekson se do të mundohen që LDK-ja të mos dëmtohet nga kushdo qoftë.

‘’Nuk janë përplasje serioze, nuk mendoj që në LDK ka përçarje. Mund të ketë mendime të ndryshme. Nuk shoh asnjë seriozitet nëse mund të them ose përçarje serioze në LDK. Ne jemi familje e madhe, jemi parti e madhe dhe sigurisht që deklarimet e kujtdo qofshin ato kanë presion, gjithë ai numër i madh i njerëzve sigurisht që do të angazhohemi që LDK-ja të mos dëmtohet’’, përfundon Beqiri.