KOSID: Hidrocentralet rrezikojnë degradimin ambiental

Plani i Qeverisë së Kosovës për rritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtrishme po shihet me skepticizëm nga Konsorciumi i organizatave për zhvillim të qëndrueshëm (KOSID).
Besfort Kosova, përfaqësues i konsorciumit në debatin mbi ndërtimin e hidrocentraleve në Kosovë tha se kapacitetet ujore të vendit nuk janë të mjaftueshme për ndërtimin e shumë hidrocentraleve.

“Konkluzioni jonë kryesor është që Kosova nuk ka kapacitet kaq të madh për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve, posaçërisht hidrocentraleve të vogla. Kjo ndërlidhet edhe me faktin se Kosova për një vit ka 1 mijë e 500 metër kub ujë për kokë banori por edhe për shkak të vetë reliefit të Kosovës që është vend-burim i ujërave dhe nuk kemi ndonjë lum të madh që kalon nëpër Kosovë”, tha Kosova.

Ai shtoi se në hulumtimin e bërë nga KOSID është vërejtur se zonat e mbrojtura mjedisore po rrezikohen nga planet për ndërtimin e hidrocentraleve.

“Ne si KOSID nuk jemi kundër hidrocentraleve por qëndrojmë në atë se ato duhet të ndërtohen në vende të caktuara ku nuk e bëjnë degradimin e ambientit dhe ku nuk e dëmtojnë biodiversitetin dhe nuk shkaktojnë probleme të ndryshme mjedisore, sidomos në tharjen e lumenjve apo edhe në dëmtimin e ujërave nëntokësorë”, shtoi ai.

Sipas Kosovës Ministria e Zhvillimit Ekonomik e ka paraparë që të ndërtohen 77 hidrocentrale të reja në kuadër të asaj që deri në vitin 2020 të plotësohet norma prej 25 për qind e burimeve të ripërtritshme të energjisë ku momentalisht Kosova i ka vetëm 5 për qind.

Çështja e ndërtimit të hidrocentraleve u debatua në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, të moderuar nga Jeta Xharra.

Pjesëmarrës në debat ishin: Besfort Kosova nga KOSID, Gani Berisha nga Ministria e Ambientit, Ellen Frank – Organizata Era Group, Adriatik Gacaferi aktivist nga Deçani, Bledor Tolaj, banor, Bekim Shyti nga Shoqata për energji te ripërtërishme, Baton Begolli nga Këshilli ndër-ministror për ujë e të tjerë…