Cilësia në arsim, plan real apo farsë politike?

Shruan: Burim Gjaka

Çdo ditë dhe në çdo komunikim në Kosovë flitet e për flitet për cilësinë në arsim, ku jemi dhe ku duhet të jemi në renditje me vendet fqinje dhe si ta ngrisim nivelin e cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet. Porse a është dikush nga institucionet përgjegjëse duke punuar realisht për këtë çështje është një pyetje që I mungon përgjegja. Për ta ngritur cilësinë në arsim duhet pasur një plan të detajuar, të hartuar nga njerëzit me ekspertizë arsimore, duhet infrastrukturë e nevojëshme, duhen mjete financiare për ta realizuar atë plan dhe natyrisht duhet pasur njerëzit në teren ( mësimdhënësit e përgatitur ) të cilët e implementojnë këtë plan. Por plani nuk mund të hartohet pa njerëz të ditur dhe pa pasur një analizë paraprake, reale të gjendjes, e cila do të na tregonte se nuk jemi mirë, por mandej do ta kishim më të lehtë t`ia caktonim” barnat për shërim “ vetes.

Për ta pasur këtë plan dhe për t`u bindur se jemi në rrugë të drejtë do të duhej që shteti ta shpallte arsimin interes nacional dhe me këtë rast edhe bugjeti të dyfishohej, e që tashmë nuk po duket kështu. Po eksperimentojmë me shumë gjëra duke i rritur shpenzimet në mënyrë enorme, ndërsa pa ua rritur fare bugjetin shkollave. Po i analizojmë disa shtylla të cilat do të duhej të luajnë rolin kryesor në ngritjen e cilësisë në arsim, e që për momentin lënë shumë për të dëshiruar.

Duke u nisur nga niveli më i lartë pra MASHT-I, na dalin ligje e udhëzime lloj-lloj, shumica në kundërshtim me njëra tjetrën dhe shpeshë herë edhe të pa zbatueshme në teren, që të bën nganjëherë të mendosh se ata njerëz nuk e njohin fare arsimin apo edhe ndoshta jetojnë në ndonjë vend tjetër. Nuk bëhen asnjëherë debate profesionale të hapura me mësimdhënës, nxënës dhe prindër para se të futet ndonjë udhëzim apo ligj në zbatim, i cili prek direkt mësimdhënësit dhe nxënësit. Kjo mungesë komunikimi mbyt edhe transparencën e mungesa e transparencës sjellë edhe mossuksesin. Organizohen me qindra trajnime me ose pa nevojë vetëm për ta shpenzuar buxhetin e shtetit, por pa i analizuar asnjëherë zbatueshmërinë dhe suksesin e atyre trajnimeve në shkolla.

Vazhdojmë tutje me inspektorët rajonal te arsimit të cilët kanë për obligim të jenë kujdestar të vlerësimit të cilësisë dhe performancës në shkolla, por që fatkeqësisht nuk po mund ta kryejnë si duhet detyrën e tyre, jo pse nuk po duan por ngase u mungon stafi i nevojshëm. Dhe MASHT-i heziton ta rris numrin e tyre edhe pse e dinë mirë që kështu nuk funksionohet. Edhe të punohet 24 orë në ditë me këtë staf të mangët,, suksesi nuk do të jetë i dëshiruari.

Kemi DKA-të cilat pothuajse në tërsi janë të politizuara, me mungesa të shumta të ekspertizës në staf, jo për nga numri, por për nga cilësia, të cilat në të shumtën e rasteve punojnë me agjenda ditore, por jo me plane konkrete për ngritje cilësie. DKA-të nuk duhet të jenë vetëm departmente për menagjimin e resurseve humane dhe të infrastrukturës shkollore, por duhet te bëjnë plane, ti implementojnë ato dhe të analizojnë suksesin apo mossuksesin e tyre.

Tutje drejtorët e shkollave të cilët në të shumten e rasteve nuk zgjedhen pse kanë ambicie, eksprtizë, ndonjë plan për menagjim, apo pse e duan atë punë, por ngase u duhet një vend pune, dhe natyrisht se kështu nuk mund të kemi sukses. Pozita e drejtorit duhet të jetë tërheqëse, e dëshiruar, të aplikojnë me plan konkret njerëzit që kanë dije për menagjim të kontrollohet dhe vlerësohet puna e tyre, të fuqizohet institucioni i llogaridhënjes, por natyrisht se edhe paga duhet të jetë më e dinitetshme. Drejtori i shkollës duhet të vlerësohet në bazë të performancës së tij, e jo në bazë të tekeve politike të dikujt. Mbështetja për drejtorët nga ana e institucioneve përgjegjëse duhet të bëhët në bazë të nevojave dhe prioriteteve të shkollave, e jo në bazë të ndëgjueshmërisë dhe lojalitetit të tyre.

Të fundit në vijën profesionale janë mësimdhënësit të cilët ballafaqohen me lloj- lloj eksperimenti, por pa ndonjë vlerësim objektiv performance, të paktën deri tani. Në njëren anë presioni i drejtorëve, DKA-ve, inspektorëve e MASHT-it, në anën tjetër shpesh herë presioni i prindërve dhe mosdiciplina e nxënësve, e fatkeqësisht shpeshë edhe mungesa e përgatitjes për t`u ballafaquar me presione të tilla ulin nivelin e suksesit. Ndryshimet në arsim kanë krijuar një hendek edhe mes gjeneratve, e po ashtu rënja e cilësisë dhe mos respektimi i kritereve në fakultetin e edukimit është edhe katalizator i kësaj gjendje.

Nuk duhet ndonjë zbulim për ta kuptuar ku jemi. E për t`u bindur se komplet kjo gjendje e mirë apo e keqe është falë “ ekspertëve në MASHT” mjafton të analizohet fillimi I këtij viti shkollor. Shkollat kanë nisur fillimin e vitit të ri me mungesa të shumta të teksteve mësimore, thuajse ata nuk e kanë ditur kur filllon viti shkolllor. Kemi filluar implementimin e kurrikulës pa pasur fare tekste dhe mjete tjera shtesë për implementimin e saj. Problemet në zbatimin e saj i dinë vetëm mësimdhënësit të cilët po ballafaqohen çdo ditë me to, dhe drejtorët e tyre të cilët nganjëherë edhe nuk kanë përgjigje për pyetjet e arsyeshme të mësimdhënësve siq është rasti i mos harmonizimit të planeve të ministrisë me tekstet aktuale . Nuk mund të ketë sukses kurrikula, për derisa nuk kemi nëpër çdo klasë kompiuter, projketor, printer, letër dhe internet për t`i paisur nxënësit me literaturë dhe mterjal të nevojshëm dhe po ashtu staf të përgatitur për këto risi.

E për derisa këto gjëra mungojnë është e lehtë të konkludohet se cilësia në arsim në vendin tonë fatkeqësisht mbetet vetëm farsë politike, e përdorur për t`u arsyetuar agjendat politike dhe për të kërkuar vota elektorale në emër të kësaj “ cilësie” e cila mbetet vetëm në letër. Kozmetika dhe statistikat ne teste të ndryshme na kanë mbetur për t`u shkruar në histori, ngase profesionalizmi mbetet larg prej nesh…fatkeqësisht.