Haradinaj: Partneriteti me Gjermaninë është jetik për vendin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim, Frank Priess, zëvendësdrejtorin e “Konrad Adenauer Stiftung” (KAS), për Evropë dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, me të cilin ka diskutuar për nevojën e përfshirjes edhe më të madhe të Fondacionit KAS në Kosovë dhe fuqizimin e partneritetit me shtetin gjerman.

Kryeministri Haradinaj, duke e falënderuar z. Priess për angazhimin që ka bërë ndër vite Fondacioni KAS, tha se misioni i tyre ka qenë shumë i rëndësishëm.

“Përvoja dhe ndihma e këtij fondacioni ka qenë shumë e rëndësishme për forcimin e demokracisë, shoqërisë civile dhe të partive politike. KAS përmes angazhimeve të veta ka arritur të krijojë një vetëdije tek qytetarët kosovarë për BE-në dhe procesin e integrimit”, vlerësoi kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka përmendur edhe rëndësinë e fuqizimit të bashkëpunimit ekonomik dhe politik me Gjermanin dhe rolin e pashmangshëm të shtetit gjerman në konsolidimin e brendshëm të Kosovës dhe në anëtarësimin e vendit në organizatat ndërkombëtare.

“Gjermania ka bërë shumë për Kosovën në këto vite dhe vazhdimi i këtij bashkëpunimi është tejet i rëndësishëm. Kosova ka nevojë për një partneritet afatgjatë dhe strategjik me shtetin gjerman”, ka shtuar kryeministri Haradinaj, duke përmendur edhe rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit.

Ndërkaq, nga ana e tij, zëvendësdrejtori i Fondacionit KAS, Frank Priess, falënderoi kryeministrin Haradinaj për mikpritjen dhe përkrahjen, derisa tha se ky Fondacion politik në Kosovë do të angazhohet që edhe më tutje ta kryejë me sukses misionin e tij.​ /Vizioni.info/