HUQJA E PROKURORISË SPECIALE TË KOSOVËS

Shkruan: Lulëzim ETEMAJ

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duket që ka probleme tepër të mëdha në raport me ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fillimisht, javën e kaluar, me rastin e ngritjës së aktakuzës kundër 12 personave për mashtrim me statusin, ajo ka shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e tyre njerëzore themelore, meqenëse, sipas disa të akuzuarve të saj, ata nuk janë informuar paraprakisht në rrugë zyrtare dhe direkt për aktakuzën, por lajmin e kanë mësuar nga mediat.
Tani, kanë qenë mediat ato që kanë publikuar listën nga aktakuza e Prokurorisë Speciale me veteranë të rrejshëm. E, në mesin e veteranëve të rrejshëm, sipas reagimeve të para, qoftë të personave të apostrofuar qoftë të komandantëve e bashkëluftëtarëve të tyre, janë gjendur edhe një numër i madh i luftëtarëve të vërtetë të UÇK-së, madje ka prej tyre që ishin pjesëtarë të saj që nga fillimi.
Paknaqësia dhe indinjata e shprehur publikisht, duket që e ka nxitur edhe ish-prokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, për të reguar dhe dhënë shpjegime shtesë rreth listës së aktakuzës së veteranëve. Blakaj, përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook” ka thënë se aktakuza e tanishme e Prokurorisë Speciale të Kosovës ka pësuar ndryshime nga ajo që e ka përpiluar ai. Sipaj ish- prokurorit Blakaj, janë rreth 2.000 persona më shumë të përfshirë tani në listë, për të cilët ai nuk ka informacione se si janë përfshirë në aktakuzë. Në shërbim të së vërtetës, të cilën e duan të gjithë, Blakaj do të duhej ta publikonte tani listën e tij të cilën ai ka deklaruar se e ka marrë me vete në SHBA.
Kjo deklaratë e Blakajt e bën edhe më të ndjeshme çështjen e trajtimit të listave të veteranëve të rremë të UÇK-së. Njëkohësisht ajo e nxjerrë në pah mungesën e profesionalizmit dhe paaftësinë e Specialës së Kosovës për të dalë para opinionit publik me një aktakuzë të bazuar, që adreson sakt pritjet si të instititucioneve gjegjëse të shtetit ashtu dhe të opinionit publik për të gjykuar dhe ndërprerë keqpërdorimin e buxhetit të shtetit nga ana e veteranëve të rremë. Huqja e tillë juridike që në start, jo vetëm që e rritë mosbesimin në drejtësinë e Kosovë dhe mekanizmat e saj, por hap dilema të mëdha për sa i përket raportit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës jo vetëm me ish ushtarët e UÇK-së, por edhe me vetë UÇK-në. Kështu, i gjithë rasti, merrë pashmangshëm konotacione politike. Rrethanë rënduese në të gjithë këtë spektër paraqet fakti se drejtësia e Kosovës dominohet nga ish gardianë të drejtësisë serbosllave, e cila, siç dihet, kishte orientim themolorë shtypjen e të drejtave të ligjshme njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. E, gardianët e tillë, janë element shumë i përshtatshëm për instrumentalizime të llojllojshme në këmbim të rehatisë së tyre, mirëqenies sociale dhe karrierës profesionale.
Gardianët e drejtësisë në Kosovë, në këtë rast prokurorët dhe gjyqtarët, duhet të jenë të pavarur nga politika dhe ndikimet tjera, porse, politika duhet që përmes mekanizmave të saj, posaçërisht Kuvendit të Kosovës, t’i përkrah ata përmes nxjerrjes, rishikimit dhe plotësimit të ligjeve si dhe mbikëqyrjes së zbatimit të tyre.
Nuk mund të bësh një ligj të tillë si ai për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të befasohesh më pastaj me efektet nëpërkëmbëse dhe rrënuese të dinjitetit të luftëtarëve të lirisë, të UÇK-së dhe luftës së saj. Është obligim i Kuvendit të Kosovës që në bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën e Vetaranëve të UÇK-së t’i japi zgjidhje të ngutshmme politike qorrsokakut në të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës e ka futur çështjen e veteranëve të rremë, e cila tashmë siç duket është shndërruar nga segmente të caktuara të drejtësisë së Kosovës në kauzë të qërimit të hesapeve me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ish ushtarët e saj.
Poashtu është detyrë themelore e Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së t’i marrë në mbrojtje veteranët e akuzuar pa bazë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të mos i lë vetëm për t’u mbrojtur, por të mbledhë fakte rreth përfshirjës së tyre në listën e veteranëve të rrejshëm dhe të bëjë padi penale kundër nëpërkëmbjes së dinjitetit të këtyre luftëtarëve dhe vetë UÇK-së. Goditjet e tilla të ulta s‘duhet të kalojnë! Në të kundërtën, dro që askush s’do të mund t’i dali para paqës së brishtë sociale dhe ta ndali nga rënia në humnerë.