Gazeta spanjolle: Në rast të marrëveshjes me Serbinë, Spanja do të njohë Kosovën

Në zyrën e ministrit të Punëve të Jashtme të Spanjës, Joseph Borrell, tashmë kanë arritur shumë raporte rreth procesit negociues të nivelit të lartë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës i cili, sipas pritjeve, mund të përfundojë me një marrëveshje historike brenda katër apo gjashtë muajve, raportoi sot gazeta spanjolle në internet, Moncloa.com.
“Nëse do të ketë tym të bardhë në Ballkan, Spanja do ta bëjë njohjen diplomatike të Kosovës”, shkruan kjo gazetë.

Burimet diplomatike të konsultuara nga Moncloa.com thonë se një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës me të cilën Beogradi do ta njihte ekzistencën e shtetit të Kosovës, do ta mbyllte kundërshtimin serb ndaj pavarësisë të cilën Kosova e shpalli në shkurt të vitit 2008.

“Nëse ndodh kjo (marrëveshja), Spanja do ta njohtë shumë shpejt Kosovën. Më shumë se 100 shtete tashmë e mbrojnë pavarësinë e këtij territori në Ballkan- në mesin e tyre SHBA, Franca dhe Britania e Madhe- edhe pse Kosova nuk është ende anëtare e OKB=së sepse fuqitë e mëdha- para së gjithash Rusia e Kina- e kundërshtojnë pavarësinë e saj”, raporton Moncloa.

Spanja është në mesin e pesë shteteve anëtare të BE-së, bashkë me Greqinë, Qipron, Sllovakinë dhe Rumaninë, që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës./