Bujqit paralajmërojnë protesta për rrëzimin e Qeverisë

Drejtuesit e Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës (FSBK) kanë mbajtur konferencë për medie, në të cilën kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për Qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj dhe punën e saj në sektorin e bujqësisë.

Kryetari i FSBK-së, Tahir Tahiri, tha se mungesa e investimeve në bujqësi dhe konkurrenca jolojale në treg janë duke bërë që gjendja në bujqësi të përkeqësohet, raporton Ekonomia Online.

Tahiri më tutje ka akuzuar ministrinë e Bujqësisë se po u shpërndan grante personave që nuk e meritojnë si dhe po kërkon mito për përfitimin e tyre.

Ai në konferencën për medie para ndërtesës së ekzekutivit paralajmëroi edhe organizimin e protestave për rrëzimin e Qeverisë, për të cilën tha se nuk po krijon perspektivë për bujqit.

“Ai buxhet po keqpërdoret nga ministria. Grantet u jepen njerëzve që nuk e meritojnë, për dhënien e granteve kërkojnë mito. Tjetër problem është edhe konkurrenca jolojale nga importi. Prej shtetit kemi kërkuar që të na mbron prej kësaj konkurrencë të tmerrshme këtë po e bëjnë tregtarët tanë që po marrin produkte nga vendet e tjera”.

“Do të organizojmë protesta, do të kërkojmë largimin e kësaj Qeverie është krijuar një bastion. Me këta njerëz nuk ka perspektivë bujqësia, kërkojmë që këta njerëz të largohen njëherë e përgjithmonë. Bujqit kanë hezituar me dal në protesta dhe janë shantazhuar prej ministrisë”.

Ai tha se në kërkesë për takim me kryeministrin kanë kërkuar që të diskutojnë edhe për këtë çështje, andaj edhe sipas tij i është refuzuar kjo kërkesë, raporton EO.

“Një kërkesë i kemi bërë kryeministrit për memorandum bashkëpunimi dhe për t’i paraqit problemet kryeministrit. Pas ndryshimeve në Qeveri gjendja nuk po përmirësohet, po vjen e po përkeqësohet. Ne kemi reaguar qysh kur kemi dëgjuar se është emëruar ministër. Kemi kërkuar edhe nga kryeministri që të takohemi për ketë çështje ndoshta kjo ka qenë ndoshta arsyeja pse na kanë refuzuar”.

I pakënaqur me punën e bërë në sektorin u shpreh edhe fermeri Nexhmi Hyseni. Ai tha se fermerët janë duke u larguar nga vendi dhe tokat bujqësore janë duke mbetur pa u punuar.

Isuf Kelmendi, një tjetër fermer kërkoi nga ministria që grantet t’i japë me kohë.