Daçiq nga New Yorku paralajmëron ‘tërheqje’ të tjera njohjesh për Kosovën

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, nga New Yorku, ku ndodhet në kuadër të sesionit të Asambalesë së Përgjithshme të OKB-së, ka paralajmëruar se “mund të pritet që vende të tjera në të ardhmen të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës, ose të njoftojnë se këtë nuk e kanë bërë asnjëherë”, raportojnë mediat e Beogradit, transmeton Koha.net.

Sipas tij, “ministrat e Omanit dhe të Ugandës, shtete që janë në listën e Prishtinës që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë thënë se asnjëherë nuk e kanë bërë këtë gjë. Njësoj ka thënë edhe ministri nga Lesoto”.

Mediat serbe citojnë pohimet e Daçiqit, se ai nga 193 shtete anëtare të OKB-së, ka caktuar kontakte me përfaqësuesit e 84 sosh.

Ai me përbuzje është shprehur për delegacionin nga Prishtina. Siç citohet nga mediat serbe, ai ka thënë se “ajo që po bën delegacioni i Prishtinës në selinë e OKB-së gjatë mbajtjes së seancës është e turpshme… po sillet nëpër korridore me leje në të cilat shkruan “Të tjerë”, ndoshta do të takojnë ndokënd, por është një punë koti …”

“Ne kemi protestuar, meqë po keqpërdorin misionin paqësor”, citohet të ketë thënë Daçiq.