Parlamenti Studentor i UP-së i bashkohet protestës së nesërme të Vetëvendosjes

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës përmes një komunikate për media ka konfirmuar se do t’i bashkohet protestës së nesërme të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Viti i ri akademik do na pres me sfida të reja por me gatishmërinë tonë. Secili prej nesh partnereve të koalicionit, jemi të vetëdijshëm për nivelin e përgjegjësisë dhe rolit që ka ky organ, andaj si kurrë më parë ne do të angazhohemi në ngritjen e integritetit të Parlamentit Studentor e të studentëve në përgjithësi”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Më tutje në komunikatë thuhet se, “nuk ka asnjë individ që do të na nënshtrojë për të na e pamundësuar atë që kemi vendosur ta arrijmë së bashku, sepse si asnjëherë më parë ne duhet ngrihemi fillimisht që ta ngremë sa më lartë Universitetin e Prishtinës, në mënyrë që ta kemi sa më të lartësuar edhe shoqërinë e vendit tonë”.

Studentët e Universitetit të Prishtinës kanë ditur të ngritën në tetorët e dekadave të ndryshme.

“Ne do të ngrihemi edhe para se të arrij tetori i studentëve ngaqë përgjegjësia na thërret.
Thirrjes për protestën e 29 shtatorit që na vije nga shumë artistë, profesorë, pjesëtarë të shoqërisë civile, politikanë e aktivistë politikë, organizata rinore dhe mërgata e Kosovës do t’i përgjigjemi edhe ne. Kjo protestë e cila është në kundërshtim të apetiteve te hegjemonisë së Serbisë sërish ndaj tokave tona dhe popullit tonë, ne do t’i përgjigjemi paqësisht me rezistencë. Ne nuk qëndrojmë indiferent. Do të vazhdojmë në rrugën e të gjithë atyre brezave studentorë, që para nesh, u angazhuan për një shoqëri të lirë e demokratike”, thuhet në komunikatë.

Parlamenti Studentor iu bën thirrje të gjithë studentëve që të mos zmbrapsen nga ëndrrat e të gjithë atyre pararendësve që për dekada të tëra u zgjuan kundrejt regjimeve. Të ngrihen sërish në mënyrë që sa më lartë të arrihen ato përpjekje.

“Studentët kanë ëndrrat e tyre frymëzuese për këtë shoqëri. Ëndrra të cilat përgjithësisht janë injoruar, janë shtypur e janë pamundësuar. Së bashku do të punojmë t’i sjellim ato në jetë, me vullnet e me organizim studentorë. Vullneti i qytetarëve shqiptar është i pandryshueshëm, prandaj edhe studentët janë po të njëjtit. Studentët nuk i nënshtrohen askujt përpos këtij vullneti”, thuhet në komunikatë.
Parlamenti Studentor shton se Universiteti është i studentëve, studentët janë të popullit. Populli e ndihmon Universitetin e nga Universiteti ditën e shtunë do të marshojmë në mbrojtje të vullnetit të popullit.