106-vjetori i Policisë së Shtetit/ Lleshaj: Sulme nga krimi dhe nga politika që duhet të na mbronte krahët

Ministri Sandër Lleshaj ka folur për sulmet e politikës ndaj policisë. Lleshaj u ndal edhe tek investimet në Polici dhe tha se garancia e qeverisë socialiste është fokusi që do të jetë mbi uniformat blu.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka qenë i pranishëm sot në 106-vjetorin e Policisë së Shtetit. Lleshaj foli para drejtuesve të Policisë për misionin dhe detyrat që duhet të realizojë ky institucion por nuk la pa përmendur edhe sulmet që vijnë nga politika. Lleshaj tha se policia përballet me sulmet nga krimi, por nuk ka në plan të përballet me sulmet politike, që sipas tij, do duhet të ishin mbrojtje për punën e uniformave blu.

“Për shkak të natyrës së ndërlikuar të misionit që kryen, jo rrallë herë, Policia e Shtetit është bërë shënjestër e sulmeve të ndryshme. Sigurisht, ajo do të jetë në shënjestër të sulmeve të krimit, për të cilat është e përgatitur dhe e gatshme të përballet dhe të fitojë. Por ka edhe një kategori tjetër sulmesh, kryesisht politike, për të cilat Policia e Shtetit nuk është dhe as nuk ka ndërmend të përgatitet për mbrojtje.  Policia duhet të jetë e rreshtuar në front përballë me krimin, ndërsa krahët dhe shpinën e saj duhet dhe do ta mbrojë politika e përgjegjshme, Qeveria, institucionet dhe mbi të gjitha qytetarët, aleatët e saj të përhershëm. “-tha Lleshaj.

Lleshaj u ndal edhe tek investimet në Polici dhe tha se garancia e qeverisë socialiste është fokusi që do të jetë mbi uniformat blu.

“Në shërbim të këtij qëllimi të madh, Qeveria e Shqipërisë, Kryeministri Rama dhe unë si Ministër i Brendshëm do të vijojmë më konsekuencë mbështetjen e gjithanshme për të siguruar që Policia e Shtetit të mund të dominojë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin, që Forca e Ligjit të jetë e vetmja forcë, që ushtrohet në vendin tonë dhe që vendi të përmbushë me sukses objektivat në fushën e integrimit. Përpjekjet për integrim do të ndjekin një qasje të dyfishtë: integrim rajonal dhe integrim evropian. Në funksion të integrimit rajonal, do të përshpejtojmë projektin për krijimin e një zone të lëvizjes së lirë, sipas standardeve ‘Schengen’ mes Shqipërisë dhe Kosovës, e cila shpresojmë të zgjerohet shpejt edhe me vende të tjera të rajonit.”-tha Lleshaj.