Veterani i gurit

Sadush Dullovi e nxjerr bukën në gurë të thatë. Është lindur e rritur nëpër kodrat e gurta të rrethinës së Kaçanikut. Aty edhe nisi t’ia merrte dorën murosjes me gurë. Për dekada me radhë nuk iu nda kësaj pune.

Tani është një prej mjeshtërve të rrallë të këtij zanati. Duart i çoi prej gurëve vetëm gjatë luftës së fundit, kur rroku pushkën në radhët e Brigadës 162 të UÇK-së, që mbante emrin e dëshmorit Agim Bajrami. Shtatorja e heroit është midis parkut në formë hajmalie përballë mureve të gurta të Kalasë së Kaçanikut, shkruan sot “Koha Ditore”.

Dullovi, para se të nisë punën, kalon rreth shtatores së ngritur mbi bazamentin e mermertë prej rreth një metri. Aty janë shkruar edhe emrat e të gjithë dëshmorëve të Brigadës së Dullovit. Lidhjen e tij me luftën e dëshmon edhe jeleku prej kamuflazhi, dhuratë e një miku. Nuk e heq edhe gjatë kohës sa rrethon me mur guri parkun që zgjatet përgjatë bregut të djathtë të lumit Nerodime, që buron në bjeshkët e Jezercit të Ferizajt, por derdhet në Lepenc në dalje të Kaçanikut.

“Guri i Kaçanikut e mjeshtri i Ferizajt, nuk shkon bre bac!”

“Ma, ma, mos e fotografo anej se nuk ka me u pa. Mbushet me dhe. Dil knej se knej ia jap hakun”, i thotë Dullovi, i zënë ngushtë, fotoreporterit të gazetës një paradite mesdhjetori. Nuk dëshiron të shihet ana shpinore që nuk e ka sipërfaqen e latuar. Krejt ndryshe duket pjesa ballore, ku Dullovi me kujdes të madh i lëshon gurët para se t’i lidhë me llaç. Përderisa materiali është ende i butë, kujdeset me mjetet e punës që të shohë nëse gjithçka e ka në vijë.

Megjithatë, kur i duket se guri nuk ka rënë në vendin e vet, sigurohet me shuplakën e dorës së djathtë duke rrafshuar me gurin tjetër të lidhur me fugë. Kur i kërkohet të flasë për përkushtimin në punë, tregon ndonjë histori me të cilën të tjerët ia vënë në pah mjeshtërinë.

Vizioni.info Author