Balenat kushtojnë rreth 6 milionë dollarë secila, ata i kishin “burgosur” rreth 100 të tilla – aktakuzë për katër kompani ruse (Video)

Zyrtarët rusë kanë ngritur aktakuzë kundër katër kompanive në Lindjen e Largët që kanë mbajtur rreth 100 balena në pishina të vogla dhe të mbushura me njerëz, vend të cilin ambientalistët e kanë quajtur një “burg të balenave”.

Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, këto kompani më parë janë gjobitur për kapjen e paligjshme të tyre dhe kanë një histori të shitjes së kafshëve në parqe zbavitëse jashtë vendit.

Departamenti i Gardës Kufitare tha se dyshon se të katër kompanitë kapën ilegalisht këto balena. Rojet e kufirit nuk specifikuan se kur ndodhi kjo.

Sipas mediave, rojet duket se kanë marrë një aksion të tillë, pasi presidenti Vladimir Putin javën e kaluar urdhëroi autoritetet për të hetuar rastin dhe për të liruar kafshët.

Balenat kanë një vlerë të lartë në tregun e zi, deri në 6 milionë dollarë, dhe aktivistët besojnë se janë kapur për shitje në parqet e zbavitjes në Kinë.

Siç bëhet e ditur, ligji rus lejon vetëm kapjen e balenave për qëllime shkencore.

Ndryshe, aktivistët ngritën alarmin në fund të vitit të kaluar kur balenat u kapën në bregun e Paqësorit. /Telegrafi/