Fotografi që prek ndërgjegjen nëpërmjet imazheve

Rrëfimi i Ferdi Limanit për fotografi është i pafund. Historia prej kur ka nisur të fotografojë në Prizren e se si ka arritur deri në Siri, është asi rrëfimi që në secilin hap ka nga një dramë. 

Pothuajse të gjitha janë kapur nga objekti i Limanit. Ka shëtitur shumë shkaku i profesionit. Por aktualisht është duke qëndruar në Kosovë. Punon përkohësisht si fotograf në Komunën e Prishtinës. Ka ndërmend të zhvillojë projekte të mëdha, shkruan sot Koha Ditore.

“E përcjelli aktualitetin dhe mundohem ta di se çfarë do të ndodhë nesër”, thotë ai, derisa e pi një birrë në një kafehane të Prishtinës. E ka përfunduar orarin e punës, e tash mendon se si do t’ia bëjë që ta fillojë një projekt që e quan patriotik. Temat ditore nuk e ngacmojnë më. Aktualitetin e ka përcjellë edhe në zona të konflikteve të armatosura si Siria. 

“Tash kërkoj informata për tema më të mëdha”, thotë Limani i lindur më 1982.

Tema “e papërfunduar”

Pasi kishte nisur që të punonte si fotoreporter për mediat vendore më 2004, interesohej për gjendjen sociale. 

Në fotografitë e tij bardhezi shihen pamje të jetës së familjeve kosovare. Thotë se fotografia duhet të shkojë përtej informatës, të jetë mision. 

Kujton se më 2006 kishte fotografuar një familje në Mitrovicë, e cila jetonte në tendë. E më pas shkaku i raportimit një biznesmen ua kishte ndërtuar shtëpinë.