I akuzuari për sulmin në Christchurch thotë se po trajtohet padrejtësisht në burg

Vrasësi i akuzuar për sulmin në Christchurch pretendon se ai është duke u trajtuar padrejtësisht pas grilave dhe ka bërë një ankesë formale për të kërkuar qasje ndaj vizitorëve dhe thirrjeve telefonike.

I akuzuari për sulmin në Christchurch, Brenton Tarrant, ka paraqitur një ankesë formale duke pretenduar se po i mohohen të drejtat e tij themelore pas hekurave.

28 vjeçari Tarrant, i lindur në Australi, është burgosur në Burgun e Aucklandit në Paremoremo, pasi ai është akuzuar se ka vrarë 50 besimtarë myslimanë në dy xhami më 15 mars.

Tarrant thuhet se ka paraqitur një ankesë në Departamentin e Korrigjimit për të kontestuar situatën e tij në burg ku atij aktualisht nuk i janë të lejuar vizitorët, thirrjet telefonike, qasje në televizion ose në gazeta, raporton Stuff, transmeton Koha.net.

Ai është në izolim dhe vëzhgim të vazhdueshëm. Ai nuk merr të drejtën e zakonshme minimale. Pra, nuk ka telefonata dhe vizita, ka thënë një burim nga burgu.

Sipas Aktit të Korrigjimeve të Zelandës së Re, të burgosurit ndër të tjera kanë të drejtë të bëjnë thirrje telefonike, të dërgojnë ose të pranojnë postë, trajtimin mjekësor, shtratin, ushqimin dhe pijen, qasjen tek vizitorët, qasjen në informata dhe arsim.

Ligji gjithashtu thotë se një të burgosuri mund t’i mohohen këto të drejta nëse ka një emergjencë në burg, sigurimi i burgut është kërcënuar, ose nëse shëndeti ose siguria e ndonjë personi kërcënohet.