Ngritja e Pepajt: pas titujve në Ligë të Dytë dhe të Parë, tash e kërkon në Superligë

Pasi në dy edicionet paraprake fitoi nga një titull kampioni të Kosovës në basketboll, me dy ekipe të ndryshme që u promovuan në një kategori më lart të këtij sporti, këtë edicion Ardit Pepaj po kërkon titullin e tretë rresht dhe më të rëndësishmin në karrierën e tij. 

19-vjeçari këtë edicion është pjesë e skuadrës Golden Eagle Ylli, që po lufton për titull kampioni. Ekipit nga Suhareka iu bashkua para fillimit të këtij edicioni pas suksesit që e shijoi me Lipjanin, shkruan sot Koha Ditore.

Pepaj edicionin e shkuar ndihmoi Lipjanin të fitojë titullin e kampionit në Ligën e Parë, gjë që ia mundësoi promovimin në Superligë. 

Një edicion para se të luante me Lipjanin, Pepaj u shpall kampion i Ligës së Dytë me KB Istogu, ekip që tashmë bën gara në Ligën e Parë. 

Gjithashtu, muaj më parë, Pepaj luajti edhe në finalen botërore të streetballit që u organizua nga Red Bulli në Washington, pasi triumfoi në turneun e mbajtur në Kosovë. 

“Synimi im është që të fitoj titullin e tretë rresht në tri nivelet e basketbollit të Kosovës brenda tri edicioneve. Personalisht, do të ishte një arritje shumë e madhe për mua si basketbollist. Ylli ka kapacitet për një sukses të tillë, qyteti i Suharekës e meriton, duke pasur parasysh përkrahjen e madhe që na jep”, shprehet Pepaj. 

“Natyrisht, nuk do të jetë lehtë për shkak se krahas Yllit në garë për titull është edhe Prishtina që ende nuk di për humbje. Pra, Ylli dhe Prishtina do të luftojnë deri në fund për titullin e kampionit”. 

Krah-qendra 195 centimetra shumë mirë është përshtatur tek Ylli dhe po tregon paraqitje të mira në elitën e basketbollit të Kosovës. Këtë edicion po luan me mesatare prej tetë pikëve, dy asistimeve dhe 4.1 kërcimeve për ndeshje. Ai ka shumë konkurrencë brenda skuadrës, sidomos nga të huajt, por po ia del të fitojë besimin e trajnerit.