Sllovakia zgjedh një femër në krye të shtetit

Kandidatja që premtim kryesor gjatë fushatës zgjedhore e pati luftën kundër korrupsionit, Zuzana Caputova, e ka fituar rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Sllovaki, duke u bërë femra e parë që zgjidhet në këtë pozitë në histori të këtij shteti.

Zonja Caputova, e cila nuk ka pothuajse aspak përvojë politike, e mposhti diplomatin e profilit të lartë, Maros Sefcovic, i cili ishte kandidat i partisë që është aktualisht në pushtet në Sllovaki.

Këto zgjedhje u mbajtën një vit pas vrasjes së një gazetari hulumtues vitin e kaluar. Jan Kuciak ishte duke i hetuar lidhjet e politikanëve me krimin e organizuar kur ishte qëlluar me armë zjarri në shkurt të vitit 2018.

Caputova kishte thënë se vrasja e këtij gazetari është një nga arsyet që e ka shtyrë të kandidojë për presidente të vendit, ndonëse ky post është më tepër i natyrës ceremoniale.

Kur pothuajse të gjitha votat janë numëruar, ajo i ka vituar 58 për qind të votave, ndërsa kundërkandidati i saj i fitoi 42 për qind të tyre.

Ajo u bë e njohur duke e ushtruar profesionin e avokates, sidomos kur e udhëhoqi një rast kundër një procesi të groposjes ilegale të mbeturinave, i cili zgjati 14 vjet.

Presidentja e re e Sllovakisë është 45-vjeçare, nënë e dy fëmijëve dhe e divorcuar. Ajo është anëtare e partisë “Sllovakia Progresiste”, e cila nuk ka asnjë ulëse në kuvend.

Në rundin e parë të zgjedhjeve, ajo i kishte fituar 40 për qind të votave, ndërsa kandidati tjetër, i cili është zëvendëspresident i Komisionit Evropian, vetëm 19 për qind, shkruan “BBC”. /Express/