“Volvo” me strategji për para

Gjiganti suedez, “Volvo”, shpreson ta rikthejë reputacionin e vet për sigurinë përmes një strategjie teknologjike. 

Me teknologjinë më të re kompania po planifikon të parandalojë aksidentet nëpër rrugë. Kompania ka njoftuar në fund të muajit mars se do të instalojë kamera dhe senzorë brenda automobilave të vet në fillim të 2020-s, që do të funksionojnë sikur pajisje monitoruese për nivelin e dehjes apo shpërqendrimit të shoferit, por edhe për të intervenuar në parandalimin e aksidenteve. 

Masat e sigurisë, të prezantuara në një konferencë nga “Volvo”, kanë nxjerrë në pah planet e publikuara kohë më parë me synim të eliminimit të aksidenteve fatale nëpër rrugë, shkruan sot Koha Ditore.

Zhvillimi i teknologjisë që mund të përkrahë manovra të tilla është përshpejtuar në vitin e fundit, sidomos me rritjen e fokusit kah automobilat autonomë në industri. Kompania ka thënë se sistemi funksionon në atë mënyrë që vazhdimisht monitoron shoferin dhe kur të ketë nevojë do të hyjë në funksion edhe pjesa e intervenimit. Sistemi i intervenimit do të hyjë në funksion nëse shihet qartë përmes kamerave dhe senzorëve se shoferi është i dehur apo është i shpërqendruar, dhe nuk po u përgjigjet sinjaleve paralajmëruese si dhe po rrezikon të shkaktojë aksident me përmasa që mund të jenë fatale. 

“Volvo” lidhur me këtë është duke krijuar një autopilot për vozitje pa shofer nëpër autostrada me kompaninë prodhuese të pjesëve të automobilave, “Veoneer”, po ashtu nga Suedia. Kjo po bëhet me synimin që të përmbushet caku i caktuar më herët e që automobilat autonomë të zënë një të tretën e shitjeve të të gjithë automobilave të kompanisë deri më 2025. 

Por drejtori gjeneral i kompanisë, Hakan Samuelsson, ka thënë për “Reuters” se duhen pesë deri në dhjetë vjet para se automobilat e tillë të përhapen në masë. Sipas tij, duhet krijuar një treg të qëndrueshëm për të shitur automobila me veçori shtesë për sigurinë, siç janë monitorimi përmes kamerave përgjatë vozitjes.