Albin Kurti paralajmëron protesta, por a e ka ndikimin që e kishte dikur LVV-ja

Lëvizja Vetëvendosje është subjekt politik që identifikohet me organizimin e protestave me qëllim të manifestimit të pakënaqësive ndaj sistemit politik.

Edhe sot, kryetari i kësaj partie, Albin Kurti ka paralajmëruar protesta për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt dhe presidentit Hashim Thaçi.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se nga nesër do të nis një tur nëpër të gjitha komunat me aktivitete, që sipas tij do të çojnë deri në thirrjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.

Në të kaluar Lëvizja Vetëvendosje kishte arritur që të mbushte sheshet e Prishtinës me protestues, kundrejt qeverive dhe vendimeve të ndryshme.

Por, gjithçka ndryshoi kur kjo parti u nda në dysh. Plot 12 deputet të kësaj partie krijuan një parti të re të quajtur Partia Socialdemokrate.

E duket se ndarja në dysh zbehu edhe ndikimin e kësaj partie, kështu të paktën mendojnë edhe analistë politikë në vend.

Analisti, Imer Mushkolaj mendon se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka ndikimin që kishte në të kaluarën.

Sipas tij, pas ndarjes, kjo parti tha se po organizonte protestë, për të kundërshtuar idenë e presidentit Thaçi, për korrigjimin e kufijve, por në fakt protesta ishte më shumë për të rikonfirmuar fuqinë e saj pas ndarjes nga PSD-ja.

“Vetëvendosje protestën e fundit e ka mbajt para 6 ose 7 muajve, atëherë na tha se më atë protestë u ndal presidenti Thaçi me idenë e tij, por nuk ndodhi ashtu, protesta ishte më shumë për një farë rikonfirmimi, përpjekje për rikonfirmim të fuqisë së saj pas ndarjes së PSD. Nuk janë i sigurt nëse Vetëvendosje mund të arrij që të mbledh njerëz si më parë për shkak se megjithatë të gjithë e din edhe vet Vetëvendosje se partia është dëmtuar”, ka thënë Mushkolaj.

Ai po ashtu ka thënë se opozita deri me tani është treguar shumë e pafuqishme, si në Kuvend ashtu edhe jashtë. Pasi sipas tij kryeministri Haradinaj ka vazhduar të qeverisë edhe me një numër shumë të vogël të deputetëve.

Derisa shton se protestat janë një veprim që është dashur të ndodh edhe më herët, siç thotë ai, në kuptimin e një aktivizim më të madh të opozitës.

“Mos të harrojmë se deri me tani opozita është treguar shumë e dobët në Kuvend edhe jashtë, për shkak se Z. Haradinaj ka vazhduar që të qeverisë edhe pse me një numër shumë të vogël të deputetëve, pra me një pozitë të brishtë, ndërkohë që opozita është treguar e pafuqishme që të provojë qoftë rrëzimin e qeverisë. Kështu që protestat besojë janë një veprim që është dashur të ndodh edhe më herët në kuptimin e një aktivizim më të madh të opozitës. Ndryshe nëse vazhdojnë me konferenca shtypi edhe me deklarata publike edhe ata vetë e din që Z. Haradinaj do të rrijë në krye të qeverisë derisa kështu të vendosin partitë në pozitë, pra partitë që janë partnerë të Haradinajt në koalicion”, ka thënë Mushkolaj.

Se LVV-ja nuk ka ndikimin e njëjtë kështu mendon edhe ish anëtari i kësaj partie, tashmë deputet i PSD-së, Faton Topalli.

Megjithatë Topalli thotë se në Kosovë ka shumë njerëz të pakënaqur me qeverisjen aktuale.

“Unë mund të themi se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka atë ndikimin që e ka pasur dikur sigurisht, megjithatë në Kosovë ka shumë njerëz të pakënaqur me gjendjen ekonomike dhe shumë të pakënaqur me qeverisjen e aktuale, prandaj mendoj që pavarësisht ndikimit të Lëvizjes, pakënaqësia është bukur e madhe. Sinqerisht nuk e di nëse do të dalin aq shumë njerëz sa në të kaluarën, ajo varët nga mobilizimi nga interesimi i qytetarëve”, ka thënë Topalli.

Por ndryshe, mendon deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi.

Ai madje thotë se VV-ja tanimë është edhe më e fuqishme se në të kaluarën.

Kurteshi ka thënë se kjo është dëshmuar edhe në protestën e fundit të organizuar nga kjo parti, në shtator të viti 2018.

“Ju e keni parë në protestën e shtatorit, ajo ka qenë protestë jashtëzakonisht e madhe dhe protesta me të mëdha nuk kemi pasur as kur kemi qenë, le më PSD-në por as me AAK-në e me Nismën. Kështu që LVV-ja e ka përkrahje më të madhe që e ka pasur ndonjëherë, sepse protestat që i ka thirr Vetëvendosje, tani më është dëshmuar se janë të interesave të qytetarëve dhe asnjëherë nuk ka ndodhur që të thirret ndonjë protestë që nuk e ka në fokus  interesin qytetarë. Prandaj në momentin kur do ta thërrasim një protestë jam shumë i sigurt që numri i protestuesve do të jetë edhe më i madh sesa që ka qenë në shtator”, ka thënë Kurteshi.

Ai po ashtu ka thënë se me protestën e shtatorit kanë arritur që ta ndalnin idenë e presidentit Thaçi për “korrigjimin e kufijve”.