Ambasadori Kosnett kërkon votimin e projektligjit të propozuar nga Thaçi

Ambasadori i SHBA-së, Philip Kosnett, i ka bërë sot thirrje Kuvendit të Kosovës të votojë amendamentet të propozuara nga presidenti Hashim Thaçi për Ligjin e OJQ-ve.

Kosnett përmes një postimi në Twitter ka thënë se një gjë e tillë nuk ka të bëjë me politikën, por me sigurimin e transparencës dhe parandalimit të keqpërdorimit të fondeve të donatorëve.

“ I bëj thirrje Kuvendit të Kosovës që të votojnë në favor të amendamenteve të propozuara nga Presidenti Thaçi për Ligjin e OJQ-ve. Kjo nuk ka të bëjë me politikën – ka të bëjë me sigurimin e transparencës dhe parandalimit të keqpërdorimit të fondeve të donatorëve”, ka shkruar Kosnett.

Kujtojmë se presidenti Thaçi e ka kthyer në rishqyrtim ligjin për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 7 nëntor të vitit të kaluar.

Kthimin në rishqyrtim të Ligjit Nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, presidenti Thaçi e ka bërë për shkak se disa nene të Ligjit për Lirinë e Asociimit në OJQ nuk janë në pajtim me Nenin 44 (1) të Kushtetutës dhe me praktikat më të mira ndërkombëtare për lirinë e asociimit.