Haradinaj: I mirëpresim kritikat, por s’jemi Qeveri që vajton

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në lansimin e Strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile 2019-2023 , organizuar nga Zyra e kryeministrit/Zyra për Qeverisje të Mirë, me mbështetjen e Projektit të asistencës teknike të BE-së, që ka për qëllim prezantimin e synimeve të Qeverisë para publikut, organizatave të shoqërisë civile, përfaqësuesve të institucioneve dhe partnerëve në përfshirje të zbatimit dhe monitorimit të strategjisë.

Kryeministri Haradinaj tha se Strategjia qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile 2019-2023 ndërlidhet me Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021 dhe ka për qëllim vazhdimin e komunikimit të rregullt me shoqërinë civile dhe partnerë të tjerë.

“Me këtë strategji ne synojmë që të rrisim bashkëpunimin dhe t’i arrijmë katër objektivat strategjike; rritjen e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në bërjen e politikave, rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në financimin publik për shoqërinë civile, zhvillimin e praktikave dhe procedurave për kontraktimin e shoqërisë civile për ofrimin e shërbimeve publike, dhe nxitjen dhe promovimin e vullnetarizmit në programet në interes publik”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se duhet të jemi krenarë ngase, sipas treguesit të Bankës Botërore për politikëbërje, Kosova është renditur e para në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të politikëbërjes në Qeveri.

Kryeministri Haradinaj, tha se për të vazhduar këtë punë suksesshëm, në mbledhjen e fundit të Qeverisë është marrë vendimi për themelimin e Këshillit për bashkëpunim të Qeverisë me shoqërinë civile, i cili nuk do të ketë për mandat vetëm zbatimin e Strategjisë, por do të jetë mekanizmi kryesor, i cili do ta koordinojë të gjithë procesin e bashkëpunimit të Qeverisë me shoqërinë civile.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka siguruar përkrahjen e tij dhe të Qeverisë për mbështetje të Zyrës për Qeverisje të Mirë/Zyrën e kryeministrit, me qëllim të zbatimit sa më efikas të Strategjisë.

“Qeveria po ashtu ka zotuar dhe siguruar buxhetin për objektivat, planin e veprimit dhe për zhvillimin e mirëfilltë të punës në zbatimi të strategjisë”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se përkundër të arriturave, gjithmonë na mbetet shumë punë për të bërë, që këto objektiva të vendosura në këtë strategji të realizohen.

Kryeministri Haradinaj falënderoi donatorët, duke thënë se përveç programit tonë, është një involvim i madh i partnerëve, donatorëve, vendeve të BE-së, Amerikës, për përkrahjen që i kanë dhënë gjithë këto vite dhe vazhdojnë të japin për shoqërinë civile në Kosovë.

Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë, vlerësoi se lansimi i Strategjisë është një ditë e rëndësishme, duke thënë se strategjia është një zotim i rëndësishëm për një dialog gjithëpërfshirës në mes të Qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile.

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë i Zyrës së kryeministrit, Habit Hajredini, tha se ky është një i dokument i rëndësishëm i përbashkët ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë Civile, i cili synon forcimin e dialogut ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile.

Në lansimin e Strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile, nga një fjalë mbajtën, Taulant Hoxha, përfaqësues i CiviKos-it, dhe Dajana Berisha, përfaqësuese e Qendrës Burimore për Shoqëri Civile.

Në fjalën përmbyllëse kryeministri Haradinaj, tha se mirëpresin kritikat nga shoqëria civile, por theksoi se kjo nuk është Qeveri që vajton, por është Qeveri që përballet me të gjitha problemet e këtij vendi.