I quajti hajna, këshilltarja e Haradinajt i reagon Kurtit – u paraqite zbehtë

Meliza Haradinaj, këshilltare e kryeministrit Ramush Haradinaj, i ka reaguar deklaratës së sotme të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, për pushtetin, qeverisjen Haradinaj, nepotizmin dhe lidhjet e kryeministrit me Presidentin Thaçi.

Meliza Haradinaj në profilin e saj në FB ka shkruar se Qeveria Haradinaj është më e gatshmja të përballet me defektet e saj, fillimisht brenda radhëve të saj.

Ajo e ka quajtur rikthimin e Kurtit në publik pas disa javëve si të zbehtë dhe pa përmbajtje, transmeton Gazeta Express.

Tutje Haradinaj i ka kujtuar Kurtit, që i përmendi lidhjet e Haradinajt me Thacin, raportet e kreut të VV’së me ish-kryeministrin Isa Mustafa.

Shkrimi i plotë i këshilltares së Kryeministrit:

Paraqitja e parë e Kurtit sot, pas një pauze të konsiderueshme politike, vjen e zbehtë në përmbajtje, e dorëzuar në kauzë, sipërfaqësore në analizë.

Tri sqarime për Kurtin, për ta kthyer në debatin përmbajtësor politik:

1. Është për keqardhje, që një politikan që ka udhëhequr Vetëvendosjen përgjatë gjithë ekzistencës së saj në opozitë, vjen me mungesë vetëbesimi në alternativën e tij qeverisëse, duke i dhënë prioritet instrumentit të rrugës e protestës!

2. Sa i përket korrupsionit, kjo Qeveri është më e gatshmja të përballet me defektet e saj të akumuluara për shumë vjet, fillimisht brenda rradhëve të saj, e pastaj si tërësi. Askush nuk është i mbrojtur! Përparësia e kësaj qeverie është që e pranon dhe ballafaqohet me problemet deri në zgjidhje! Dua të ta përkujtoj që Qeveria Haradinaj ka logjikë vepruese, implementuese, dhe është tejet e sinqertë e transparente në komunikim me të gjitha palët pa dallim. Shifrat po flasin vetë, edhepse ka tendencë keqdashëse manipulimi me to për përfitim ditor politik.

3. Kategorizimi personal se çka i bashkon e çka i ndanë krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës, është kthim në traditën tuaj të vjetër të anatemimit të kundërshtarëve politik. A e mban mend Albin çka i the Isës, para së të bashkoheshe me të pastaj? Mos po bjen shpejtë në grackën e njejtë?!

Albini mund t’i bashkohet debatit mbi argumentet e rezultatet, vetëm atëherë pasiqë të ketë mbledhur vetëbesimin e mjaftueshëm për të formësuar alternativën e tij qeverisëse. Këtë assesi nuk mund ta bëjmë në rrugë, dhe as përmes ideve konspirative.