Bekim Jashari: Rezalla sot është krenare që i dha hakun luftës së lavdishme të UÇK-së

Me rastin e 20-vjetorit të masakrës së Rezallës, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka përkujtuar 94 banorët e Rezallës, dëshmorë e martirë.

“Sot, mes dhembjeve që shkaktohen nga humbja e më të dashurve tanë gjatë luftës së fundit në Kosovë, dhe krenarisë për bijtë dhe bijat më të mirë të kësaj toke, që sakrifikuan jetën e tyre, për lirinë e popullit shqiptar, përkujtojmë në mënyrë të veçantë 94 banorët e Rezallës, dëshmorë e martirë, në 20-vjetorin e njërës nga masakrat më të pamëshirshme”, ka thënë Jashari.

Fotografia e Bekim Hamëz Jashari

Kryetari Jashari ka thënë se dhembja sa vjen e shtohet për familjarët e të zhdukurve, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë që nga ajo ngjarje makabre. “Nuk do të jemi rehat derisa të dihet fati edhe i të zhdukurit të fundit. Me gjithë këto halle që s’kanë fund, ngado që shkojmë, kudo që jemi, do të flasim për heronjtë dhe martirët e Kosovës, do t’ua rrëfejmë fëmijëve historinë më të re të popullit shqiptar të Kosovës, në mënyrë që brezat që do të vijnë ta dinë se nga kanë ardhur”, ka thënë Bekim Jashari.

Fotografia e Bekim Hamëz Jashari

Ai ka bërë thirrje që të kujtohet dhe vlerësohet mundi dhe sakrifica e trimave tanë, që nuk kursyen jetën e tyre, që ne sot të jetojmë të lirë e të pavarur.

“Rezalla sot është krenare që i dha hakun luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është krenare me dëshmorët dhe martirët. Ata na mundësuan lirinë, na mundësuan dhe pavarësinë e Kosovës. Këta janë historia shqiptare, dhe këta janë krenaria jonë kombëtare! Do të jemi përjetësisht mirënjohës ndaj dëshmorëve dhe martirëve të lirisë”, ka thënë Jashari.
/Epoka e re/

Fotografia e Bekim Hamëz Jashari