Kurti: Kosova ka nevojë për ndryshim, për solidaritet dhe për zgjedhje të reja

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë tubimit me qytetarët e Mitrovicës ka thënë se demokracia në Kosovë nuk ka mbetur as vlerë.

Kurti tha se Kosova ka nevojë për ndryshim, për solidaritet dhe për zgjedhje të reja në vend.

“Demokracia në Kosovë nuk ka mbetur as vlerë….Në zgjedhjet  e ardhshme këtë qeveri do ta ç’kapim nga shteti. E mbani mend si se Vuçiq e vizitoi veriun e Kosovës në shtator të vitit 2018, Thaçi deklaroi se veriu është dhuratë nga Rankoviq. Merrni me mend çfarë presidenti kemi. President po, por i joni jo”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu tha se presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka pasur një projekt për ndarje të Kosovës, mirëpo siç tha Kurti këtë nuk e lejuan qytetarët. “Se çka dëshiron Thaçi na ka treguar më herët. Qysh në maj të vitit 2015 Thaçi ka deklaruar se eshtrat e Isa Boletinit duhet të varrosen në Vlorë, kjo nuk u bë sepse ju nuk e lejuat, por kjo tregon që projektin për ndarjen e Kosovës Thaçi e ka pasur më herët. Duke ju falënderuar juve, projekti i ndarjes së Kosovës ka dështuar. Tash sërish bashkë duhet ta ndalim hajnin e tyre. Në themi le të fitoj popullsia, e të mbaroj njëherë e përgjithmonë ‘PANhajnia’”, u shpreh ai.

Kurti gjithashtu tregoi se dy partitë opozitare në vend, LVV dhe LDK janë duke bashkëpunuar shumë ngushtë. “Dy partitë opozitare në Kosovë LVV dhe LDK po bashkëpunojnë shumë ngushte dhe më mirë se sa partitë që janë në koalicion. Pas zgjedhjeve, ne nuk duam ta zëvendësojmë PDK nga lakmia, por pushtetin në shtet nga ndershmëria”, tha ndër të tjera lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Ndryshe, ky është tubimi i tretë me qytetar i mbajtur nga Lëvizja Vetëvendosje, për të larguar nga pushteti Qeverinë Haradinaj me moton “Kundër PANhajnisë”. Të premten tubimi i parë u mbajt në Vushtrri dhe i dytë u mbajt sot në Podujevë.