Haradinaj merr pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar ditës së dëshmorëve të Brigadës 138 dhe rënies së Heroit Agim Ramadani

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore – Dita e dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”- Dita e rënies së Heroit Agim Ramadani, që u organizua nën patronatin e Kryeministrit, në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes 2019”.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se, sot është një ditë ndryshe, sepse kujtohet një luftëtar shembull shqiptar, një luftëtar që në vlerat e tij njerëzore dhe intelektuale, por veçanërisht në pastërtinë e tij përkushtimi për atdhe është i rrallë, Agim Ramadani.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj theksoi se, përshtypja e tij për Agimin, edhe në kohërat e luftës dhe bindja e tij ishte se, kanë të bëjnë me një luftëtar të rrallë, me një tipar të rrallë të luftëtarit shqiptarë.

“Në Brigadën 138 u bashkuan plot djemtë të zot të kombit, të cilët kishin bërë rrugë për liri, rrugë për të drejtën tonë. Aty janë njerëz të shquar, janë, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu, janë plot të tjerë, por janë shumë dëshmorë, nga të gjitha anët e atdheut që u flijuan në kuadër të kësaj brigade”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se, ajo që është më rëndësi të përmendet, është se atë ditë e në atë orë me Agimin ishin edhe Adem Isufi i Cërnicës së Gjilanit, Jeton Veliu i Polacit, Imri Curri i Hanit të Elezit, Ramë Beka i Gushavcit të Mitrovicës, Rrahman Tafa i Caralevës, e Sylejman Shala i Vidishiqit.

Duke e konsideruar shumë të rëndësishme Epopenë e UÇK-së në Koshare, përmasat dhe efektet që ka dhënë ajo, kryeministri Haradinaj tha se, gjatë gjithë zhvillimit të luftës për liri, ka pasur momente të pikëpyetjeve se si do të rrjedhë lufta. “Në kohën e fillimit të sulmit frontal, pra në çrrënjosjen e vijës ndarëse dhe në heqjen edhe formale të gurit, të kufirit, që e bëri Agim Ramadani me bashkëluftëtarët e vet në atë kohë, edhe atëherë ishte pikëpyetje se si do të vazhdojë rrjedha e luftës nëpër të gjitha zonat e luftimit”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se disa nga këto zona ishin në sfidat më të mëdha të luftës.

“Nisja e sulmit frontal, ashtu si ndodhi në Koshare, e konfirmoi se çka do të ndodhë, u bë e ditur se çka do të ndodhë. Vetëm fakti se një njësi e madhe në numër, në fuqi zjarri, në ekspertizë ushtarake e lufte, e filloi një sulm frontal mbi forcat e okupatorit, e konfirmoi, e mbylli epilogun e luftës”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se, kjo epope kishte rëndësi të jashtëzakonshme, sepse i dha siguri rrjedhave brenda të luftës, duke iu dhënë frymë përpjekjeve të luftëtarëve për të mbetur brenda në vazhdimin e luftës.

Kryeministri Haradinaj, gjatë fjalës së tij, tha se sot, është e ditur, se betejat në vazhdimësi që kanë ndodhur në Koshare, janë të përmasave që do të mbesin në historinë më të re të shqiptarëve.

“Flijimi dhe rënia në altarin e lirisë, e njerëzve që kishin bërë rrugë deri në formimin e tyre, e atyre që kishin dhënë prova që janë një profil i lartë, po ashtu i jep një peshë dhe dimension të veçantë. Pra flijimi në ditën e sotme i Agim Ramadanit, po ashtu e bënë historinë ”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se janë Agimi, Salihu dhe dëshmorët e tjerë që i bashkojnë në çdo 9 prill, jo vetëm në Koshare, por kudo që janë në jetë, në respekt të veprës së tyre për liri dhe në respekt të obligimeve që kanë lënë.

Në mbyllje të fjalimit, kryeministri Haradinaj tha se nuk ka qenë lehtë për të gjithë ata që ishin në vijat e para, në misionin e tyre për të drejtën për të qenë të lirë.

“Të gjithë ata që e kanë dashur me zemër atdheun, e kanë gjetur rrugën. Në çdo kohë shembulli i tyre mund të na ndihmojë që të gjejmë rrugën në shërbim të atdheut tonë. Edhe dita e sotme është një ditë e porosisë për të gjithë ne që të shërbehemi me shembullin e tyre. Lavdi e përjetshme heroit tonë, Heroit të Kombit, Agim Ramadani. Lavdi të gjithë dëshmorëve që kanë rënë për liri”, tha kryeministri Haradinaj.

Në emër “Brigadës 138”, një fjalë e mbajti bashkëluftëtari i Agim Ramadanit, deputeti Anton Çuni, ndërsa në emër të familjarëve të heronjve, foli Jeton Ramadani, i biri i Heroit Agim Ramadani. /Vizoni.info/