Qeveria e Kosovës ka autorizuar Ministrinë e Drejtësisë që të përgatis iniciativën ligjore për sanksionimin e mohimit të krimeve

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për financimin e projektit për kadastër të patundshmërive dhe infrastrukturës gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim. Projektligji ka për qëllim ratifikimin  e marrëveshjes së nënshkruar më 7 shkurt 2019 në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Po sot u miratua edhe Rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, e cila rregullon organizimin  e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në këtë institucion.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për miratim të nismës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për negocimin e marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Botërore. Kjo marrëveshje do të mbulojë Projektin e përfshirjes së të rinjve në zhvillimin ekonomik lokal i cili do të implementohet në 10 komuna të Republikës së Kosovës.

Miratimin në parim e ka marr edhe vendimi për lidhjen e Marrëveshjes financiare për IPA 2019, pjesa e parë, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Me këtë marrëveshje Bashkimi Evropian do të financojë Programin vjetor të veprimit për Kosovë në vitin 2019. Shuma e përgjithshme e kostos së këtij programi është llogaritur në 38 milionë euro dhe kontributi i fondeve të Bashkimit Evropian në financimin e këtij programi është 38 milionë euro.

Është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës vendimi për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit për zgjerimin e mihjes për eksploatimin e thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës në Zonën kadastrale në Shipitull të Komunës së Obiliqit.

Po ashtu u miratua edhe vendimi për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të paluajtshme të ish-ndërmarrjes shoqërore “Auto Prishtina”, ish-Hoteli VICTORY për nevoja të Policisë së Kosovës.

Qeveria ka shqyrtuar Raportin për nivelin e ekzekutimit të projekteve të huamarrjes dhe sfidat në këtë drejtim. Raporti evidenton të dhënat që Organizatat Buxhetore dhe të gjitha institucionet publike të cilat implementojnë projektet të financuara përmes huamarrjes, i kanë raportuar në Thesarin e Republikës së Kosovës. Raporti evidenton që me 31 dhjetor 2018, borxhi publik ishte 1,092.7 milion euro, prej të cilave 416.08 milionë euro janë borxh ndërkombëtar dhe 676.62 milionë euro borxh i brendshëm. Raporti i borxhit me BPV ishte 17.11%, përfshirë edhe garancionet prej 44 milionë euro.

Me propozimin e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është miratuar vendimi për transformimin e Këshillit Kombëtar për Inovacion dhe Ndërmarrësi në Koalicion Digjital, që është në përputhje edhe me agjendën digjitale evropiane për Ballkanin Perëndimor. Edhe propozimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për miratim të nismës së negocimit të marrëveshjes ndërkombëtare për mbrojtjen e investimeve me shtetin e Katarit ka marr miratimin e kabinetit qeveritar.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka propozuar nismën për hartimin e legjislacionit për rregullimin e sanksionimit të mohuesve të krimit. Propozimin e tij zëvendëskryeministri Hoxhaj e ka arsyetuar me faktin se një praktikë e tillë është e rregulluar në shumicën e vendeve perëndimore dhe i ka vlerësuar të papranueshme deklaratat e ditëve të fundit me tendencën e mohimit të krimeve të kryera ndaj qytetarëve të Kosovës nga shteti i Serbisë. Qeveria ka autorizuar Ministrinë e Drejtësisë që të përgatis këtë nismë legjislative për rregullimin e kësaj fushe.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar nga kabineti qeveritar Rregullorja për organizimin dhe strukturën e brendshme të Ministrisë së Mbrojtjes. /Vizioni.info/