PDK-ja paralajmëron rrëzimin e Qeverisë

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, së fundmi ka deklaruar se vendit mund t’i kthehet dinjiteti vetëm me Kadri Veselin kryeministër dhe me PDK-në në qeverisje. Analistët vlerësojnë se këto deklarata mund të shpijnë në rrëzim të Qeverisë dhe në zgjedhje të parakohshme, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Ka kohë prej kur dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, po kërkojnë rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Përveç partive opozitare, së fundmi, edhe pse jo në mënyrë direkte, edhe partneri më i madh i koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, po shihet si kërcënim për rrëzimin e Qeverisë, në të cilën edhe ata kanë hise.

Në një tubim të mbajtur këto ditë në Prizren nënkryetari i Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, u shpreh se besimi në shtetin e Kosovës mund të kthehet vetëm me qeverisjen e PDK-së dhe me Kadri Veselin si kryeministër. Analistët vlerësojnë se këto deklarata, por edhe qëndrimet e ndryshme brenda koalicionit qeverisës mund të konsiderohen si sinjale të PDK-së për rrëzimin e Qeverisë, fuqi të cilën konsiderojnë që kjo parti e ka, shkruan tutje gazeta “Zëri”.

Vizioni.info Author