PARTIA QË DUAM!

Shkruan: Agim Haziri

Sot në Kosovë kemi mjaft parti e besa jemi ngopur prej tyre. Që pas mbarimit të luftës e këndej unë personalisht por edhe shumë të tjerë e kam votuar një parti, Partinë Demokratike të Kosovës, e cila pothuajse për 17 vjet është në pushtet. Kishte Hashim Thaçin kryetar e tash Kadri Veselin, dhe është përgjegjësja kryesore për situatën ku sot ndodhet Kosova.

Një ish deputet i saj pat thënë njëherë në parlamentin e Kosovës se PDK është akademi për partitë tjera, do të doja që të ishte kështu. Sot më shumë se kurrë më parë po dalin në pah shumë të bëra e të pabëra të anëtarëve të PDK–së e cila edhe po mban zgjedhje të brendshme.

Mirë që po i mban, por nuk i ka nisur mbarë, deri më sot nuk kam dëgjuar që dikush është marrë me ndonjë analizë gjithëpërfshirëse për gjendjen e partisë për gjithë këto vite në pushtet. Për shembull dikush në parti do të duhej të kujdesej edhe për ligjshmërinë e zgjedhjeve brenda, kam këtu parasysh Ligjin për Shërbyesit Civilë, sa persona që janë zgjidhur kryetarë degësh e nëndegësh bien ndesh me këtë ligj, a ka PDK juristë a jo.

Këto zgjedhje të brendshme ishin mundësia e vetme për një lloj pastrimi të partisë. Pyes veten, por edhe juve të gjithëve; a duhet ne të duam dhe votojmë një parti që ka zyrtarë të lartë në degë e qendër që sulmojnë zyrtarët e shtetit në detyrë, që ka deputet të saj që të gjithë vëllezërit, motrat, fëmijët e farefisin e ka të punësuar në shtet, deputetë e ish deputetë që janë milionerë me nga një rrogë Kosove, deputetë që edhe sot nuk e dinë se sa dëme i kanë bërë Kosovës me votën e tyre. Mjaft është mjaft!

Unë e dua një PDK të përgjegjshme ndaj secilit anëtar të saj, një PDK ku respektohet ligji i partisë dhe i shtetit, një PDK që nuk e pranon anëtar dikë vetëm pse ka një interes vote. E dua një PDK që edhe gabimet i pranon për ti përmirësuar më pas, një PDK që nuk e ka me patjetër pushtetin, një PDK që i trajton të gjithë anëtarët e vet njësoj, e dua një PARTI DEMOKRATIKE! Shpresoj të më dëgjohet zëri!