Eskalon situata në Mitrovicë, drejtori i kompanisë rrihet keq me protestuesit -6 të lënduar

Një protestë e banorëve të fshatit Koshtovë të Mitovicës ka përfunduar dhunshëm. Protesta që nisi nga banorët e fshatit për shkak të deponisë së mbeturinave që kompania “uniteti” e menaxhon, la gjashtë persona të lënduar. Drejtori që e menaxhon kompaninë “Uniteti” Gazmend Morina bashkë me një koleg të tij janë rrahur me protestuesit. Lëndime kanë pësuar këta dy dhe katër protestues, raporton Gazeta Express.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Avni Zahiti nga policia rajonale e Mitrovicës.

“Ka ndodhur përkeshje mes banorëve (protestues) dhe zyrtarëve të kompanisë Uniteti. Gjashtë persona të lënduar, katër banorë të fshatit dhe dy zyrtarë të kompanisë, drejtori dhe një tjetër”, tha Zahiti.

Ndërkohë, policia ka intervistuar të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje. Rasti po cilësohet si “Lëndim i lehtë trupore” dhe “dëmtim i pronës”- aty është dëmtuar një veturë e zyrtarëve të kompanisë.

Personat e intervistuar janë liruar nga ana e policisë. Po ashtu janë intervistuar edhe dëshmitarë nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa, banorët janë ankuar se kompania nuk po e mirëmban këtë deponi të mbeturinave, sipas tyre po kundërmon.