Thaçi: Me Haradinajn ishim unik në Berlin, Merkeli dhe Macroni s’kërkuan njohjen nga Serbia

Presidenti, Hashim Thaçi, në konferencë për medie tha se në Berlin delegacioni kosovar ka shkuar me një qëndrim dhe ai ishte që taksa të vazhdojë të mbetet në fuqi, raporton Ekonomia Online.

Thaçi shtoi se me kryeministrin e vendit ka prezantuar një qëndrim të përbashkët, dhe fokusi ka qenë që të bindin Angela Merkel dhe Emmanuel Macronin që të mbështetet Kosova në liberalizimin e vizave.

“Ne kemi prezantuar një qëndrim, dhe qëndrimet kanë qenë të qarta sa i përket gjitha çështjeve sa i përket fokusit tonë të rëndësishëm, sepse fokusi im ka qenë si të bindim Merkel dhe Macron për mbështetjen e liberalizimit të vizave, dhe mesazhi ka qenë i qartë që ne i kemi plotësuar gjitha kriteret”, tha ai.

Ai tha se Merkel dhe Macroni nuk bënë thirrje ndaj Vuciqit që ta njoh Kosovën dhe që Kosovën ta njohin 5 vendet e BE-së, por ai rithekson se është pro bashkëngjitjes së Luginës me Kosovën pa u cenuar asnjë centimetër, dhe që sipas tij, është në të drejtën e Zotit dhe qytetarëve të Kosovës.